“Vidhen” klientët e British Airways – Hakerat marrin të dhënat e 380,000 pagesave me karta

Linja ajrore britanike, British Airways, raportoi se të dhënat personale dhe financiare të qindra mijëra klientëve që kanë rezervuar online në javët e fundit janë vjedhur. Vjedhja ndodhi gjatë një ndërhyrjeje në të dhënat, që preku rezervimet e bëra në faqen online të kompanisë dhe në aplikacion, në periudhën 21 Gusht – 5 Shtator, deklaroi kompania zotëruese, International Airlines Group (IAG).
Sipas raportimit, 380,000 pagesa me karta janë ndikuar. Presidenti i British Airways, Alex Cruz, kërkoi ndjesë për ndodhinë, që u shkaktua nga aktivitete kriminale. Linja ajrore kërkoi gjithashtu ndjesë ndaj konsumatorëve në një faqe të plotë në të përditshmen britanike Metro.
Në muajin Maj të vitit 2017, kompania pësoi një dështim gjigant të sistemit kompjuterik, gjë që bllokoi 75,000 klientë në aeroportin më me fluks të Europës. Kreu ekzekutiv tha atëherë se do të ndërmerren hapa për të siguruar se nuk do të ndodhë më diçka e tillë, por në muajin Korrik, firma u detyrua të anulojë dhe vonojë fluturime nga i njëjti aeroport, prej problemeve të sistemit IT, të një furnitori.
International Airlines Group, bëri të ditur se çështja është zgjidhur dhe faqja në web po punon si zakonisht dhe se nuk janë vjedhur detaje të udhëtimit apo pasaportave. Kompania komunikoi me klientët e ndikuar dhe këshilloi të tjerë që të kontaktojnë me bankat apo ofruesit e kartave të kreditit. Aksionet e IAG ranë me 5.8% në nisje të tregtisë në Londër, që është rënia më e madhe në 7 muaj.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.