Vidhnin para përmes mashtrimit dhe falsifikimit kompjuterik – Policia arreston 2 shtetas
Policia e Shtetit ka bërë me dije se në vijim të operacionit ‘Kamaleonët 2” nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike është vënë në pranga një nga personat e shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, shtetasi A.M., 34 vjeç, i dyshuar për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.
Sipas njoftimit disa ditë më parë është vënë në pranga shtetasja A. H., 24 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila në bashkëpunim me këtë shtetas dhe shtetasin S. N., 37 vjeç, i cili është ende në kërkim, kanë kryer veprime për ngritjen e një skeme të mashtrimit kompjuterik, me qëllim përfitimin e shumave të ndryshme monetare nga të gjithë shtetasit shqiptarë ose jo, të cilët kanë qenë të interesuar për të ndihmuar të mitur me probleme shëndetësore.
Policia bën me dije se ndërkohë po vijon puna për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal, evidentimin dhe vendosjen përpara drejtësisë dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike u bën thirrje të gjithë shtetasve që kanë dyshime të arsyeshme për funksionimin e skemave të tilla të na vënë në dijeni në adresën e postës elektronike [email protected] dhe në numrin e telefonit 0694155552, po ashtu dhe në aplikacionet e komunikimit si WhatsApp, Viber etj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.