Vijon gara për Vlorën, Gjiknuri: PS, promovuesja e grave në politikë

Drejtuesi politik i Qarkut të Vlorës Damian Gjiknuri dhe disa prej kandidatëve për deputetë zhvilluan një takim me gra dhe vajza.
Gjiknuri tha se qeveria e Partisë Socialiste ka arritur të ketë numrin rekord të femrave në poste ministrore.
“Unë personalisht kam qenë pjesë e punës për hartimin e Kodit Zgjedhor që në vitin 2008. Kemi qenë promotor të përfaqësimit të sa më shumë grave në përfaqësim. Ka qenë kërkesë e vazhdueshme e Partisë Socialiste dhe e mbështetur nga institucionet ndërkombëtare të cilët bënë të mundur për herë të parë që të vendosim kuotat. Asnjë forcë tjetër se ka patur këtë shtysë përveç nesh. Nga ana tjetër, në qeveri dhamë shembull shumë më të madh të përfaqësimit”, nënvizoi Gjiknuri.
Ndërkohë që kandidatja Vilma Bello tha se pozicionimi i saj në vendin e dytë në listën e Qarkut të Vlorës është një vlerësim për gjithë gratë dhe vajzat.
“Prezantim im është prezantimi i çdonjërës prej jush. Jam një prej jush dhe një nga ju. Qenia ime në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste nuk është thjesht një prezantim personal, nuk është thjesht një përfaqësim personal. Është përfaqësimi i përkushtimit, dinjitetit, forcës, energjisë dhe pozitivitetit të të gjithave ne që jemi këtu dhe ato që nuk kanë mundur të jenë. Asnjë forcë tjetër politike nuk është si Partia Socialiste. Duke besuar se nuk krahasohemi me askënd, nuk jemi të krahasueshëm me asnjë forcë tjetër politike edhe për hir të energjisë dhe pozitivitetit të të gjitha këtyre grave dhe nënave që na mbështesin”, theksoi Bello.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.