Vijon konflikti SHBA-Kinë/Trump lajmëron listën e tarifave, Kina premton kundërpërgjigje
Kina premtoi se do të reagojë shpejtë nëse SHBA i cenon interesat, pak orë përpara se Presidenti Donald Trump lajmëroi se do të prezantojë një rishikim të një liste të tarifave që shënjestron 50 miliardë dollarë mallra kinezë.
Washingtoni dhe Pekini duket se po marshojnë drejt një lufte tregtare, ndërkohë që disa raunde të negociatave dështuan të zgjidhin ankesat e Shteteve të Bashkuara ndaj Kinës mbi politikat industriale, aksesin e tregut dhe hendekun tregtar prej 375 miliardë dollarë.
“Nëse SHBA ndërmerr masa njëpalëshe proteksioniste që dëmtojnë interesat e Kinës, ne do të reagojmë shpejtë”, deklaroi Ministria e Jashtme në Kinë.
Trump pritej të prezantonte një listë të 800 kategorive të produkteve, nga 1,300 që u lajmërua më parë, sipas burimeve të administratës, që shtojnë se ai e ka ndarë mendjen për të vendosur tarifa ndaj mallrave kinezë.
Sipas burimeve, Washingtoni ka përfunduar gjithashtu një listë të dytë të tarifave ndaj 100 miliardë mallrave kinezë, me pritshmëritë se Kina do të përgjigjet ndaj penaliteteve fillestare.
Kina ka publikuar një listë të vetën të tarifave mbi 50 miliardë dollarë mallra amerikanë, përfshirë sojën, avionët dhe makinat, dhe ka shtuar se do ta ndjekë hap pas hapi Washingtonin në këtë konflikt.
Pekini dhe Washingtoni kanë zhvilluar 3 takime të nivelit të lartë që prej muajit Maj dhe nuk kanë arritur ende kompromis. Trump nuk ka ndryshuar qasje pas ofertës së bërë nga Kina për rritur importet nga SHBA me 70 miliardë dollarë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.