Vijon shitja masive e aksioneve – Pas zgjedhjeve në Francë, investitorët fokusohen te lufta në Ukrainë!
Tregjet europiane janë hapur në rënie të ndjeshme në sesionin e sotëm, për shkak se tregjet globale po karakterizohen nga shitjet masive të aksioneve edhe në këtë fillim jave. Indeksi pan-Europian STOXX 600 është hapur në rënie me rreth 0.9%.
Gjithsesi, investitorët europianë e kanë mirëpritur fitoren e Macron në zgjedhjet presidenciale në Francë dhe po monitorojnë zhvillimet më të fundit në Ukrainë. Macron shënoi një fitore komode ndaj rivales së tij, Marine Le Pen duke siguruar një mandat të dytë presidencial dhe menjëherë do të fillojë punën për axhendën e tij pro-europiane dhe pro biznesit.
Të dhënat zyrtare treguan se Macron fitoi 58.5% të votave në raundin final të votimit, ndërsa Le Pen, që njihet për axhendën e saj kundër Bashkimit Europian mori rreth 41.5% të votave. Tashmë që zgjedhjet në Francë përfunduan, investitorët do të rikthejnë vëmendjen te konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës, i cili ka hyrë në muajin e tretë.
Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, deklaroi se lufta do të përfundojë kur trupat ruse të tërhiqen plotësisht nga vendi. Në tregun e naftës, bençmarkët kryesorë kanë rënë ndjeshëm në sesionin e sotëm, me Brentin e Londrës që ka rënë me rreth 4% dhe po tregtohet në rreth 102 dollarë për fuçi.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.