“Vilet” me forcë akciza – Tejkalohet plani i të ardhurave, detyrimet e subjekteve 1.2 milion euro
Fushata antiinformalitet ka dhënë rezultate në rritjen e të ardhurave nga akciza në 17,8 për qind krahasuar me një vit, zë i cili për muaj me radhë nuk ka pasur performancë pozitive. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ka bërë publike shifrat, ndërsa ka theksuar se do të ketë verifikime të detajuara edhe për periudha të pakontrolluara më parë.
Penalitetet për subjektet që nuk deklarojnë në kohë mallrat e akcizës që hidhen në qarkullim arrijnë në 5-fishin e detyrimeve të munguara.
“Ndërsa, sa i përket të dhënave më të detajuara, gjatë periudhës 1 korrik – 16 gusht janë kryer 960 kontrolle, ku janë kapur në shkelje 71 raste, ndërsa totali detyrimeve të subjekteve arrin në 1.2 milionë euro”- u shpreh ministrja Denaj.
Arlind Gjokutaj, Drejtor i Përgjithshëm i Doganave gjithashtu është shprehur se fokus i kontrolleve gjatë këtij muaji do të jenë edhe produktet e alkoolit dhe duhanit, ndërsa në Shtator do të nisë puna për kontrollin e lëndës së parë që përdoret për prodhimin e alkoolit.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.