Vit i ri, probleme të vjetra – Arsimi, shifrat që faktojnë thembrën tonë të akilit – SCAN MAGAZINE
Për shumëkënd, viti, fillon me Shtatorin, e sidomos për nxënësit, por edhe studentët. Çdo vit, kur fillon shkolla dalin në pah edhe problemet e sektorit; problem të cilat për hir të së vërtetës janë thuajse të njëjtat, që përsëriten e ripërsëriten çdo vit, e që thuajse asnjëherë nuk gjejnë zgjidhje plotësisht. Arsimi është padiskutim sektori më problematic i shoqërisë shqiptare sot, pasi përcakton të ardhmen tonë, nesër. Shifrat, të dhënat, raportet japin një panoramë më të qartë të gjendjes së arsimit në vendin tonë, në aspekte nga më të ndryshmet. Një ndër to është pikërisht ai i kapaciteteve.
Kemi mbingarkesë nxënësish
Në Bashkimin Europian ka një mësues çdo 14.7 nxënës të arsimit bazë. Kjo normë varion ndjeshëm mes vendeve anëtare të unionit, nga 9 deri në 19. Po në Shqipëri sa është kjo normë? Referuar Të dhënave të vitit akademik 2017-2018, në mënyrë që të kemi një bazë krahasimore kronologjike të njëjtë me atë të Eurostat, rezulton se në Shqipëri ka një mësues për 16.4 nxënës. Një raport i tillë e vendos vendin tonë në krye të shteteve europiane, më saktë në vendin e 4-t, për nga numri i madh i nxënësve për një mësues. Në përllogaritjen e numrit të nxënësve për mësues, kemi përjashtuar arsimin privat si dhe është marrë në konsideratë arsimi deri në 9-vjeçar. Instituti i Statistikave ndërkohë e sqaron më shumë këtë raport, sipas qyteteve, dhe këtu diferencat janë të ndjeshme. Gjirokastra është qarku me normën më të ulët, në 11.7 nxënës për një mësues, ndërkohë që nga krahu tjetër kemi kryeqytetin, Tiranën, me 25.3 nxënës për një mësues. Problemin e mbingarkesës së nxënësve e vuan edhe qarku i Durrësit, me rreth 22 nxënës për mësues. Vendi me raportin më të keq në Europë të mësuesve për numër nxënësish është Franca, me 19 nxënës për një mësues. Vendi me performancën më të mirë ndërkohë është Luksemburgu. Raporti i nxënësve për mësues shihet gjerësisht si në ndër indikatorët më të mirë të cilësisë së procesit të mësimdhënies.
Sa “kushton” një nxënës?
Por, edhe shpenzimet për arsimin janë një tregues deri diku i saktë i asaj cka duhet të presim sa i përket edukimit të brezave të rinj. Buxheti i shtetit për arsimin parauniversitar, pra atij të detyrueshëm, cikël 9-vjeçar plus arsimin e mesëm, fiksohet në rreth 30 miliardë lekë. Këto para shkojnë për pak më shumë se 300 mijë nxënës, duke qenë se viti shkollor preket nga dy buxhete. Viti 2017 numëronte 319 mijë nxënës në arsimin e detyrueshëm, ndërsa viti 2018 296 mijë nxënës. Duke bërë një llogaritje të thjeshtë rezulton se shtetit shqiptar, një nxënës i kushton mesatarisht rreth 100 mijë leke në vit. Tendenca e viteve të fundit, e rënies së numrit të nxënësve, efekt i padiskutueshëm i ristrukturimit demografik të shoqërisë shqiptare, përkthehet në më shumë shpenzime për nxënës, e për rrjedhojë në efiçencë më të lartë. Por, a janë të mjaftueshme 100 mijë lekë në vit për 1 nxënës nga taksat tona? Kur bëhet fjalë për arsimin, nuk do të jenë asnjëherë mjaftueshëm. Kjo merr një peshë tjetër po të bëjmë një krahasim me vendet më të zhvilluara. P.sh mesatarja e vendeve të OECD fiksohet në $9400 për nxënës, ose 10 herë më e lartë se një nxënës shqiptar. Për vende si Shtetet e Bashkuara norma ngjitet në $12 mijë për nxënës. Për vende europiane si Zvicra, shuma ngjitet në $14.900 për nxënës, ndërkohë që për vende si Meksika zbret në $2900 për nxënës.
Edukimi, jemi të fundit në rajon
Bashkimi Europian ka vendosur në strategjinë për vitin 2020 në 40% normën që çdo shtet duhet të ketë për ata me arsim të lartë, në raport me popullsinë e përgjithshme. Por, Shqipëria është shumë larg kësaj norme, dhe madje e fundit në rajon dhe mes vendeve kandidate, ku përfshihet edhe Turqia. Në vendin tonë, kjo normë fiksohet në 23.5%, për ata që janë mes 30 dhe 34 vjeç. Siç duket qartë edhe nga grafiku, kjo është norma më e ulët mes të gjitha vendeve. Në krahasim me vitin 2012 ndërkohë, kjo normë në vendin tonë është rritur ndjeshëm, me rreth 8 pikë përqindje. Por, ajo që duket shqetësuese është rekordi që mban Shqipëria në drejtim të atyre që e kanë braktisur arsimin. Në vendin tonë, meshkujt e moshës 18 deri në 24 vjeç që nuk kanë një arsim mbi atë 9 vjeçar janë thuajse sa ¼ e totalit, ose 22%, sipas publikimit më të fundit të Eurostat për vendet që kërkojnë të bëhen pjesë e unionit. Vetë Bashkimi Europian kërkon që kjo normë mos të jetë më e lartë se 10%, ndërkohë që Shqipëria e tejkalon me më shumë se 2 herë. Te femrat ndërkohë, norma zbret në rreth 17%. Por, pavarësisht kësaj, si për femrat ashtu edhe për meshkujt, Shqipëria është e para ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, sa i përket normës më të lartë të të rinjve që janë mjaftuar vetëm me shkollim 9 vjeçar.
17 dhjetor 2018, Inteligjenca, të parafundit në Europë
Të dhënat hedhin poshtë një tjetër mit; atë se shqiptarët janë një popull inteligjent. Sipas klasifikimit të të Worldmap, në bazë të koeficientit të inteligjencës, Shqipëria është vend i dytë më pak inteligjent në Europë. Klasifikim famëkeq e udhëheq Bosnje Hercegovina. Fill pas tyre, me një diferencë mjaft të vogël në pikëzim, vjen Shqipëria. Kështu, në një renditje ku vendi i parë është ai më i inteligjenti në botë, mes 110 shteteve, Shqipëria renditet e 70-ta, me një koeficient inteligjence mesatare në vetëm 84 pikë. Me të njëjtin koeficient renditet edhe Mali i Zi. Në krye të listës qëndron Singapori i ndjekur nga Hong Kongu, me një koeficient inteligjence në 108 pikë, ndërkohë që në fund qëndron Guinea Equatoriale, me një koeficient në 56 pikë. Studimet më të fundit tregojnë se ka disa faktorë që ndikojnë në inteligjencën e një personi dhe shoqërie të caktuar, si p.sh. temperatura, të ardhurat mesatare, por edhe shpenzimet më arsimin. Për Shqipërinë, kjo e fundit fiksohet në vetëm 56 dollarë për frymë. Mbas Moldavisë, kjo është norma e dytë më të ulët në Europë. Për vendet që qëndrojnë në krye të klasifikimit sa i përket inteligjencës, shpenzimet për arsimin variojnë nga 900 dollarë për frymë, deri në 3500 dollarë për frymë. Inteligjenca është diçka që stërvitet thotë studimi dhe për të dalë nga pozicioni i të qenit vend i dytë më pak inteligjent në Europë, mesa duket, duhet të rriten ndjeshëm shpenzimet për arsimin, si dhe të ardhurat mesatare për frymë.
Po të rinjtë shqiptarë çfarë mendojmë për arsimin?
Pjesa dërrmuese e të rinjve shqiptarë shprehen se notat nëpër institucionet arsimore dhe universitetet e vendit blihen. Këtë e thotë Fondacioni “Friedrich Ebert” në studimin më të fundit për të rinjtë në Europën jug-lindore. Kështu, 77% e të rinjve të moshës 16-27 vjeç i përgjigjen me pohim pyetjes se `a janë dakord që ka raste që notat dhe provimet blihen në institucionet arsimore dhe universitetet e vendit të tyre?`. Në krahasim me raportin e kaluar, që i referohet viteve 2011-2015, vihet re një rënie e lehtë në këtë përqindje. Në periudhën 2011-2015, 85% e të rinjve deklaronte se, notat dhe provimet blihen. Në krahasim me vendet e tjera të Europës jug-lindore ndërkohë, Shqipëria është e dyta për përqindjen më të lartë të shit-blerjes së notës, me Serbinë që zë vendin e parë, me një përqindje që fiksohet në 80%. Serbia përballet Kështu me një dyfishim të kësaj normë gjatë viteve të fundit, thotë raporti. Në Kosovë ndërkohë, përqindja e atyre që deklarojnë se ka raste të shitjes së notës, fiksohet në 62%. Në drejtim të arsimit ndërkohë, Shqipëria mban një tjetër rekord rajonal, me vetëm 21% të të rinjve që deklarojnë se kanë bërë praktikë apo stazh gjatë shkollimit të tyre. Kjo është norma më e ulët mes vendeve të rajonit. Nga ana tjetër, sa i përket cilësisë së sistemit arsimor në vend, vetëm 26% e të rinjve shqiptarë shprehen të kënaqur. Bashkë më Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, kjo është ndër normat më të ulta në rajon.
Shkollimi, më dembelët në Europë
Shqipëria është vendi me më pak ditë shkolle në Europë, në ciklin e detyrueshëm të shkollimit, pra në atë 9—vjeçar dhe në gjimnaze. Këtë e thotë Komisioni Europian në një raport të posaçëm për edukimin në ciklin primar dhe atë dytësor në Europë, me titull: “Organizimi i kohës së shkollës në Europë”. Sipas Brukselit, Shqipëria është kështu vendi me numrin më të ulët të ditëve të shkollës në Europë, vetëm 156 të tilla, pra edhe më pak se gjysma e vitit. Kjo do të thotë se, nxënësit në Shqipëri janë të detyruar të frekuentojnë shkollën në vetëm 42.7% të ditëve të vitit. Mesatarja e vendeve të Europës varion nga 170 deri në 190 ditë, ndërkohë që në kontinentin e vjetër rekordin për më shumë ditë shkolle e mban Danimarka, që është edhe një prej vendeve më të zhvilluara, jo vetëm të Europës por edhe të globit. Në Danimrakë nxënësit shkojnë në shkollë 200 ditë të vitit. Për të pasur një ide më të qartë të dembelizmit të shqiptarëve në drejtim të arsimit, mjafton të shohim këtë grafik, ku Shqipëria dallon qartë nga të gjitha vendet e tjera të Europës, e madje edhe nga fqinjët rajonalë. Kjo vjen kryesisht si pasojë e pushimeve të tej zgjatura verore, më shumë se 11 javë në vendin tonë. E madje, edhe për këtë mbajmë rekord në Europë, siç e tregon edhe harta. Një tjetër arsye është edhe numri i lartë i festave gjatë vitit shkollor. Pas raportimeve se 90% e shqiptarëve nuk kanë lexuar asnjë libër gjatë vitit të shkuar, një tjetër rekord negativ hedh kështu baltë mbi shoqërinë shqiptare, duke qenë se arsimi është guri i parë drejt mirëqënies, zhvillimit shoqëror dhe një të ardhmeje më të mirë.
Roel Korkuti / SCAN MAGAZINE
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.