Vitet 1996-1997, shqyrtohen 7000 dosje pronash
Agjencia e Trajtimit të Pronave, pas publikimit të vendimeve 1993-1995, tashmë ka marrë në shqyrtim aplikimet e viteve 1996-1997, raporton “Shekulli”. Grupimi i pronave që kanë aplikuar për të fituar pronësinë apo kompensimin e tokës së paraardhësve të tyre, përllogaritet të jetë 7000, ndërkohë që vlerësimi ekonomik apo kompensimi fizik për ta do të bëhet sipas skemës së ligjit 133 “Për Trajtimin e Pronës”.
Duke ju referuar faturës financiare të vendimeve të viteve 1993-1994 që rezultoi 9 miliardë lekë, kjo shumë mendohet të jetë dyfish më e lartë, të paktën nisur nga numri i dosjeve. Por, strategjia që do të ndiqet nga ATP me shtimin progresiv të fondit vit pas viti, do të bëjë të mundur përshpejtimin e progresit, me synim mbylljen e tij brenda 10 viteve.
Për pronarët që lexojnë karshi emrit te tyre vlerësimin financiar e që tashmë janë lodhur me pritjen e gjatë, ATP jep mundësinë e kompensimit të shpejtë, përmes të cilit shuma që ndahet është 20-60 për qind më e ulët se vlerësimi. Lista e gjatë e vendimeve të viteve 1996-1997, pritet të shoqërohet me emrat që nuk do të përfitojnë, pasi jo pak prej tyre nuk kanë dorëzuar të plota dokumentet që vërtetojnë pretendimin real të një sipërfaqe toke apo prone.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.