Viti i ri akademik, nën masa anti-covid, Hoxha: Çdo institucion, rregullore për mbrojtjen e studentit dhe pedagogut
Viti i ri akademik do të nis nën masa të rrepta të sigurisë kundër përhapjes së Covid-19. këtë gjë e ka bërë të ditur Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, gjatë konferencës së organizuar me rektorët e universiteteve në vend. Hoxha theksoi se çdo institucion krahas respektimit të protokollit të ministrisë së Shëndetësisë dhe udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, ka përgatitur rregulloren e tij për të garantuar vijimin e mësimit duke mbrojtur studentët dhe pedagogët .
“Studenti duhet të zhvillojë procesin mësimor, që ta bëjë të mundur dhe ta mbrojmë studentin dhe pedagogun nga përhapja e virusit ashtu siç e thatë, kemi hartuar një rregullore e quajtur anti-Covid për mbrojtjen nga infeksioni i shkaktuar nga virusi. Rregullore të cilat kanë edhe institucionet e tjera të arsimit publik dhe jopublik, pasi vjen edhe si detyrim nga udhëzimi i Ministrisë së Arsimit dhe janë rregullore institucionale.”
Hoxha shtoi më tej se për këtë vit akademik do të ketë një rishikim të tarifave për ciklin e dytë të studimeve si edhe rishikim i programeve të studimit për ti përshtatur me tregun e punës
“Unë si Rektor e kam objektiv rishikimin e tarifave, por nuk mund ta them sot se kur apo si mund të ndodhë dhe në çfarë përqindje mund të ndodhë. Kemi bërë vetëm një diferencim, ku tarifën për regjistrimin e studentëve të ciklit të dytë, në master nga 25 mijë lekë të vjetra në 20 mijë, pra 5 mijë më pak.”
Rektori i UT u ndal edhe ne kërkesën e drejtuar kuvendit për rritjen e notës mesatare për lëndët e mësuesisë.
“Kemi parashtruar edhe në Kuvend që të rivlerësohet përcaktimi i notës mesatare së diferencuar për degët e Mësuesisë, pasi ne besojmë se për të patur mësues të aftë dhe përgatitur, vetë procedura për tu bërë mësues e garanton një gjë të tillë.” – u shpreh rektori Hoxha.
Kjo ishte mbledhja e parë e konferencës së rektorëve, pas rreth 4 viteve, mungesë e cila sipas Hoxhës ka ndikuar në moskordinim dhe harmonizim të interesave të universiteteve në vend.
Nertila Doko / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.