Viti i ri akademik, Rama: Transformim rrënjësor universiteteve
Këtë të hënë ka startuar viti i ri akademik universitar, ku mijëra studentë u janë drejtuar auditorëve. Kreu i qeverisë ka zgjedhur Universitetit Bujqësor të Tiranës për t’iu përcjellë urimet të gjithë studentëve, ndërsa theksoi në fjalën e tij që universitetet do të pësojnë ndryshime të mëdha këtë vit të ri.
“Zgjodhëm ta uronim fillimin e vitit të ri akademik, në këtë universitet pasi dëshirojmë që këtu të vazhdojmë t’i hapim rrugë një procesi transformimi rrënjësor. Bashkë me disa pedagogë vizituam kantierin e universitetit. Bindja ime është që modeli do të jetë një oaz i mrekullueshëm ku natyra dhe e gjithë infrastruktura të jetë në harmoni të plotë. Nuk do të ketë asnjë aktivitet nëse nuk është në harmoni me ato të studentëve”, tha Rama.
Ai theksoi se Universiteti Bujqësor i ka të gjitha mundësitë të bëhet një bazë prodhuese dhe patjetër i ka të gjitha potencialet që të bëhet konsulenti më i rëndësishëm strategjik i Qeverisë. Po ashtu, shtoi më tej se ky Universitet në mbështetje me Ministrinë e Bujqësisë do të sjellë më shumë të ardhura.
Ai e mbylli fjalën e tij me premtimin se do të kthehet sërish për ta bërë këtë Universitet një oaz ku të tjerët të vijnë për ta vizituar si dhe u bëri thirrje për bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Qeverinë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.