Viti nis “dobët” – Financat mbledhin 900 milionë lekë më pak për Janarin
Viti 2019 ka nisur “dobët” për financat publike, pasi në arkën e shtetit kanë rezultuar 900 milionë lekë më pak se një vit më parë për muajin Janar. Referuar treguesve fiskalë të publikuara nga Ministria e Financave, në Janar 2019 janë mbledhur rreth 34.5 miliardë lekë, ndërsa në Janarin e 2018-ës u mblodhën 35.4 miliardë lekë.
Duket se ndryshimet e bëra në fund të vitit që lamë pas dhe periudha e tranzicionit, mund të kenë dhënë efektet e e veta në perfomancën e financave publike. Rënie kanë pësuar disa tregues krahasimisht më të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe konkretisht janë arkëtuar më pak para nga TVSH-ja, 10.9 miliardë lekë gjatë Janarit 2019, nga 11.1 miliardë lekë krahasuar me Janarin 2018. Por, paralelisht administrate tatimore ka rimbursuar 12,678 miliardë lekë Tatim mbi Vlerën e Shtuar.
Të ardhurat nga akciza po ashtu kanë pësuar rënie, dhe janë mbledhur rreth 2.9 miliardë lekë. Po ashtu, janë mbledhur 400 milionë lekë më pak nga taksat nacionale Pozitivisht ka performuar tatimi mbi fitimin me rritje prej 200 milionë lekë, ku janë mbledhur rreth 1,6 miliardë lekë, si dhe tatimi mbi të ardhurat personale, ku janë mbledhur rreth 3.6 miliardë lekë.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.