Viti zgjedhor/ 6-mujori, shpenzimet publike rriten me 15%

Rritja e shpenzimeve publike para zgjedhjeve nuk ka munguar as këtë vit. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, për gjashtëmujorin e parë të vitit shpenzimet e qeverisë arritën në 209 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shpenzimet janë rritur me 28 miliardë lekë ose mbi 15%.
Statistikat tregojnë se rritja e shpenzimeve është përqendruar sidomos në zërin e investimeve publike dhe në transfertën për pushtetin vendor, që, tërthorazi, ka shërbyer sërish për rritjen e investimeve në infrastrukturë dhe në urbanistikë para zgjedhjeve. Shpenzimet kapitale të qeverisë për 6-mujorin e parë të vitit arritën në 26.4 miliardë lekë, në rritje me 56% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërsa transfertat për pushtetin vendor arritën në afro 24 miliardë lekë, 55% më shumë krahasuar me 6-mujorin e parë 2016. Besohet se një pjesë e madhe e rritjes së shpenzimeve për pushtetin vendor lidhet me projektin e kushtueshëm për rindërtimin e sheshit Skënderbej në Tiranë. Një ndikim të konsiderueshëm ka dhënë gjithashtu rritja e shpenzimeve për fondet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, me 7 miliardë lekë më shumë krahasuar një vit më parë.
Me qëllim kontrollin e shpenzimeve në vitet zgjedhore, në mandatin e fundit qeverisës u ndryshua ligji për buxhetin, duke përcaktuar se qeverisë i ndalohet të shpenzojë më shumë se 55% të deficitit vjetor në gjysmën e parë të vitit. Sipas të dhënave të deritanishme, ky përcaktim është respektuar dhe deri në fund të qershorit qeveria ka shpenzuar rreth 46% të deficitit që parashikohet në buxhetin vjetor.
Megjithatë, viti elektoral e ka ndryshuar ndjeshëm shpërndarjen e shpenzimeve publike gjatë vitit. Në vitet e zakonshme, është tipike që shpenzimet dhe sidomos investimet publike të jenë të ngadalta në gjysmën e parë vitit dhe të rriten në muajt e fundit të vitit buxhetor. Përkundrazi, në vitet elektorale qeveritë nuk humbasin kohë dhe realizimi i shpenzimeve ecën për bukuri dhe me vrull që në gjashtëmujorin e parë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.