Vizita e Trump në Azi – Jep mesazh të fortë mbi tregtinë në takimin e vendeve të Azisë dhe Paqësorit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump, dha një mesazh të fortë mbi tregtinë në një takim me vendet e Azisë së Paqësorit në Vietnam, duke thënë se Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë më abuzimet tregtare.
Trump tha se Shtetet e Bashkuara janë gati për të krijuar marrëveshje dy-palëshe me secilin vend të këtij rajoni, por vetëm duke u bazuar në “respekt dhe përfitime të përbashkëta”.
“Ne presin që tregjet të kenë aksesin e duhur në mënyrë të barabartë nga të dyja anët dhe investimet private, jo planifikuesit qeveritarë, do jenë drejtuesit e investimeve”, tha Trump në samitin e Bashkëpunimin Ekonomik të Azisë së Paqësorit.
Trump arriti në Vietnam në ditën e katërt të udhëtimit të tij 12-ditor në Azi. Ekuilibri i tregtisë mes Azisë dhe Shteteve të Bashkuara, është në qendrën e politikës së tij “Amerika e Para”, që sipas Trump do të mbrojë punëtorët amerikanë.
Qasjet e ndryshme mes Trump dhe Kinës u bënë më të dukshme nga fjalimi i presidentit kinez Xi Jinping, i cili tha se globalizimi është një tendencë e pakthyeshme. Ndërkohë që Kina ka suficitin më të madh tregtar me Shtetet e Bashkuara, Vietnami është gjithashtu në listën e disbalancave tregtare që administrata e Donald Trump kërkon të reduktojë.
Që kur Donald Trump braktisi angazhimin mbi Partneritetin e Trans Paqësorit, 11 vendet e mbetura kanë hasur vështirësi për ta mbajtur gjallë paktin tregtar.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.