Vjedhja më e madhe e shekullit në BE – Shmangia e TVSH-së prej 1.260 miliardë euro
Vjedhja më e madhe e shekullit ka shifra drithëruese. Më shumë se 1,260 miliardë euro të destinuara për 28 shtete të Bashkimit Europian u zhdukën në tetë vjet midis 2009 dhe 2016 dhe vetëm minimumi është arritur të gjurmohet. Një lumë parash, i cili duhej të ishte mbledhur nga autoritetet tatimore të vendeve evropiane në formën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), por që u mbyt si në një lumë pa u rishfaqur kurrë më në sipërfaqe.
Vetëm në vitin 2016 (viti i fundit i të cilave kemi të dhëna homogjene) shuma që nuk mblidhet nga Thesari ishte 34.8 miliardë në Itali dhe 147.1 miliardë në të gjithë Bashkimin Evropian, një shifër pak më e ulët se buxheti i BE-së.
Sipas të dhënave nga Komisioni Evropian (që regjistron disa dallime në lidhje me shifrat e Agjencisë së të Ardhurave), TVSH-ja e shmangur në Itali ishte 35.9 miliard euro në 2016. Gjermania është e dyta me 22.6 miliardë, pasuar nga Franca me 20.8 miliardë euro. Ndërsa për sa i përket përqindjes së TVSH-së së shmangur mbi totalen e tatimit që duhet paguar, vendi më i keq është Rumania, ku 35.8% e tatimit nuk paguhet. Më pas ndjek Greqia me 29.2% dhe vetëm në vendin e tretë është Italia me një vlerë prej 25.9%.
Fenomeni ‘karusel’
Vetëm me mashtrimin ‘karusel’, 50 miliardë euro u janë hequr çdo vit taksapaguesve evropianë. Duke qarkulluar mallra dhe shërbime në të gjithë kufijtë e brendshëm të Bashkimit Evropian, kriminelë dhe madje edhe terroristë po marrin para nga buxhetet publike. Mashtrimi i tyre: të mbulohen taksat që nuk janë paguar kurrë. Dhe arma që ata përdorin është mashtrimi me karusel mbi TVSH-në.
Arma vdekjeprurëse e mashtrimit të madh ka një emër “mashtrim karusel”. Është një mashtrim, kurth, i kombinuar me lëvizjen rrotulluese te një karuseli si ato të fëmijërisë sonë.
Megjithëse këto mashtrime kanë qenë të njohura nga autoritetet tatimore evropiane që nga futja e TVSH-së në Komunitetit Europian në vitin 1993, pothuajse asnjë masë nuk është ndërmarrë në nivel global për të zvogëluar në mënyrë efektive shumën e këtyre humbjeve. Pamundësia e shteteve anëtare të BE-së të bien dakord unanimisht për çështjet e taksave dhe mungesa e besimit të ndërsjellë u ka kostuar shumë taksapaguesve.
Trekëndëshi mes kompanive të BE-së
Mashtrimet e TVSH-së janë një goditje për të gjitha vendet e Kontinentit të vjetër dhe arrijnë t’u shmangen kontrolleve për faktin se ndodhin në të njëjtën kohë në vende të ndryshme, në një formë të pa lokalizueshme. Ndodh pikërisht fenomeni i ‘mullinjëve të letrës’, që nënkupton krijimin e kompanive vetëm me qëllimin e pastrimit të parave dhe shmangien e taksave, të cilat hapen dhe mbyllen me shpejtësinë e dritës. Ballë kësaj shpejtësie është vështirë për të marrë masa.
Operacionet bazohen në trekëndëshin midis kompanive të ndryshme të vendeve të Bashkimit Evropian. Për shembull, një kompani gjermane shet mallrat e saj një kompanie italiane. Shitja bëhet pa paguar TVSH sepse është një transaksion brenda BË-së. Por kompania italiane që merr mallrat (por vetëm në letër) është në të vërtetë një “fabrikë letre”, e cila blen mallin dhe e shet menjëherë duke aplikuar TVSH-në italiane. Dhe është në këtë fazë që fillon mashtrimi real. Për shkak se “fabrika e letrës” italiane nuk paguan TVSH-në që ka marrë teorikisht nga blerësi i produktit dhe as nuk paraqet kthimin vjetor të TVSH-së. Qëllimi i vetëm i kësaj kompanie është të krijojë transaksione jo-ekzistuese.
Artikulli origjinal:
https://www.ilsole24ore.com/art/mondo/2019-04-27/la-grande-rapina-europa-scomparsi-1260-miliardi-iva-124202.shtml?uuid=AB4AOOsB
Burimi: IlSole24ore
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.