Vjen ndërhyrja e “BOE” – Rrit normat e interesit për të parën herë në dhjetë vite, paundi bie

Banka Qendrore e Anglisë rriti normat e interest për të parën herë në një dekadë, duke përmbushur kështu pritshmëritë, por edhe duke nxitur një rënie të monedhës vendase. Gjithsesi, banka sinjalizoi se, një ndërhyrje tjetër nuk është urgjente, pasi ekonomia vijon të vuajë pasojat e Brexit.
Me një votim në favor 7-2, komiteti i politikave monetare të bankës vendosi kështu që të rrisë në 0.5% normën bazë të interesit, nga 0.25% që ishte më parë. Procesverbali i takimit tregon se, ekonomia britanike është e brishtë në një kohë që pret të shkëputet edhe formalisht nga Bashkimi Europian.
Dy ndërhyrjet e radhës, me shumë gjasa, do të jenë në fund të vitit të ardhshëm dhe tjetra vetëm në vitin 2020. Paundi britanik ra pranë nivelit të 1.3096 dollarëve pas njoftimit. Kjo pasi tregjet shtynë në kohë pritshmëritë për ndërhyrjen e radhës.
Vendimi i së Enjtes shënjon kështu edhe përfundimin e stimujve monetarë emergjentë që u aplikuan pas referendumit të Brexit. Kjo lëvizje ka për synim që të luftojë inflacionin e fortë.
Kreu i bankës së Anglisë, Mark Carney e sqaroi vendimin, duke thënë se, ka ardhur koha që të hiqet këmba nga gazi, çka do të thotë se, ekonomia britanike do të duhet ta përballojë Brexit pa ndihma nga politika monetare.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.