Vjen reagimi i TIA: Policia u njoftua në kohë. Në dispozicion të organeve kompetente të gjitha materialet mbi ngjarjen
Tirana International Airport ka reaguar në lidhje me grabitjen e ndodhur një ditë më parë në pistën e aeroportit, duke u shprehur se ka qenë korrekte në përmbushjen e detyrave dhe njoftimi është kryer në kohë kundrejt sallës operative të policisë në Rinas.
Njoftimi ka ardhur menjëherë pas deklaratës për shtyp të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cilin reagoi ashpër ndaj koncesinarit, pasi TIA deklaron se kishte vendosur të respektonte hetimet.
“Por, pasi ndoqëm me shqetësim deklaratën zyrtare të Ministrisë së Brendshme, duket se etika e TIA-s ka shërbyer për herë të dytë për një keqinformim të publikut dhe fajësimin – si skenar i përsëritur – për një akuzë të rëndë që nuk qëndron në shpatullat e një koncesionari të huaj, pa mënjanuar kërkesat e Kontratës së Koncesionit që TIA përmbush çdo ditë në lidhje me sigurinë aeroportuale.
TIA në bashkëpunim me Autoritetin e Aviacionit Civil Shqiptar, gjatë këtyre tre viteve nga ngjarja e ngjashme në aeroport në 2016, ka marrë masa shtesë dhe ka ngritur në një nivel më lart sistemin e kamerave dhe gardhin rrethues.”
TIA njofton më tej se u janë vënë në dispozicion organeve kompetente të gjitha materialet dhe regjistrimet e kamerave të sigurisë mbi ngjarjen e ndodhur.
Ndërsa vlerësoi forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për operacionin, zanafilla e të cilit sipas TIA ishte pikërisht njoftimi i lëshuar prej këtij të fundit, u bën thirrje të trajtojnë me kujdes të gjitha informacione që jepen në lidhje me sigurinë, duke shtuar se do të përbënte rrezik shtesë.
“Aeroporti nuk është i kinezëve, është i gjithë shqiptarëve. Është pjesë e territorit të Shqipërisë dhe mbrohet me ligj nga Policia e Shtetit si çdo metër i këtij vendi. Ndaj deklaratën zyrtare të Ministrisë së Brendshme e vlerësojmë si të pasaktë.
Rikthesojmë se në zbatim të përgjegjësive dhe detyrimeve të Kontratës së Koncesionit, dhe në bazë të Programit Kombëtar të Sigurisë të Aviacionit Civil, TIA ka zbatuar me korrektësi të plotë procedurën e njoftimit në kohë të policisë.
Tirana International Airport mbetet në dispozicion të pasagjerëve dhe opinionit publik për informacione të mëtejshme”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e TIA.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.