VKM/ Caktohet Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Shpronësimeve
Këshilli i Ministrave ka emëruar ditën e sotme Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
Ai është Z.Erlis Hereni, i propozuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Erlis Hereni është diplomuar në Drejtësi në Universitetin Europian të Tiranës dhe Gjuhë Angleze, ku prej 8 vitesh jep mësim pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Në vitet 2014 – 2017 ai ka shërbyer si Këshilltar për Çështjet Ligjore dhe Administrative në Kabinetin e Ministrit të Punëve të Brendshme, me fokus kryesor përmirësimin e legjislacionit, anti-korrupsionin si dhe çështjet e migrimit dhe azilit.
Më herët ky i fundit ka mbajtur edhe postin e koordinatorit për riatdhesimin në Ministrinë e Infrastrukturës. Po ashtu Hereni ka qënë edhe një prej këshilltarëve të ministres, Belinda Balluku.
Të gjitha institucionet shtetërore që kanë nevojë të shpronësojnë për hir të interesit publik do t’i drejtojnë agjencisë së sapokrijuar të shpronësimeve, duke e kthyer këtë të fundit në një prej dikastereve më të rëndësishëm në vend
Agjencia do të ketë kompetencë të plotë mbi përllogaritjen e vlerave përfundimtare të shpronësimit, masën e shpronësimit për çdo pronë të prekur nga projekti i shpronësimit; të Mbikëqyrë ecurinë e procedurave të procesit të shpronësimeve; po njëherësh edhe të hyjë në negociata me subjektet që shpronësohen, për sa i përket vlerës së shpronësimit dhe afatit të shlyerjes së kësaj vlere.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.