VKM/ Miratohen 253 milionë lekë për rikonstruksionet e pallateve! Lezha merr “pjesën e luanit”
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 253 milionë e 463 mijë lekë për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë si pasojë e fatkeqësisë natyrore dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, dhe rikonstruksionit ose riparimit të mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat), në bashkitë Vorë dhe Lezhë.
Efekti financiar do të përballohet nga pjesa e financuar nga grantet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2020, dhe do t’u kalojë bashkive Vorë dhe Lezhë, sipas detajimit të mëposhtëm:
a) Bashkisë Vorë i transferohet fondi prej 35 550 000 (tridhjetë e pesë milionë e pesëqind e pesëdhjetë mijë) lekësh, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para;
b) Bashkisë Lezhë i transferohet fondi prej 217 913 855 (dyqind e shtatëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e trembëdhjetë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e pesë) lekësh, për financimin për rikonstruksion ose riparimin e mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat).
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.