Vlerësimi i komunitetit për qeverisjen – Studim në 6 bashki, nevojë për investime në sektorin bujqësor
Projekti “ vlerësimi i komunitetit për qeverisjen” i Shoqatës “Aleanca Gjinore për Zhvillim” publikoi rekomandimet nga një studim i kryer në 6 bashki në vend. Pjesë e rekomandimeve në fushën e zhvillimit ekonomik vendor ishin nevoja e krijimit të një pike grumbullimi të prodhimeve bujqësore, subvencionim i plehrave kimike, vaditje dhe transporti i produkteve bujqësore. Drejtorja ekzekutive e Shoqatës “Aleanca Gjinore për Zhvillim”, Mirela Arqimandriti theksoi rëndësinë e nxitjes së angazhimit qytetar në nivel vendor për një qeverisje që përmbush nevojat e qytetarëve.
“Flasim në përgjithësi për këtë metodologji jashtëzakonisht të mirë që i lejon qytetarët të shprehin mendimet e tyre për qeverisjen vendore dhe i lejon ata të ndërveprojnë me qeverisjen vendore sepse është e tillë metodologjia. Forumet që po përgatisim në nivel lokal i lejon ata të shprehin shqetësimet e tyre, rekomandimet se si mund të gjenden zgjidhje të ndryshme për katër fusha kryesore, për të cilat ne mbështetemi kur ne realizojmë në nivel lokal këtë metodologji”, tha Mirela Arqimandriti drejtore e “Aleanca Gjinore për Zhvillim”.
Menaxherja Kombëtare e programit UN Women, Fiorela Shalsi sqaroi mënyrën se si qytetarët do të kontribuojnë në përmirësimin e qeverisjes vendore, përmes deklarimit të nevojave, të cilat nuk janë përmbushur, pavarësisht pagesës së rregullt të taksave.
“Ne përpiqemi që qytetarët të jenë përfaqësues nga grupet e ndryshme, sidomos për ato grupe që janë me më pak zë le të themi dhe që nuk kanë mundësi të kenë akses në vendimmarrje. Nëpërmjet forumeve apo grupeve nga qytetarët në këtë nivel, pikërisht këto mendime janë baza e hartimit të raporteve që ju keni sot. Më pas ky raport nga shoqëria civile i bëhet me dije dhe punohet bashkë me bashkitë”, tha Fiorela Shalsi, menaxhere Kombëtare e Programit UN Women.
Për këtë projekt, i cili realizohet për të dytin vit radhazi, janë financuar 40 mijë dollarë nga UN Women dhe USAID. Projekti në fjalë u fokusua në bashkitë Sarandë, Roskovec, Patos, Lezhë, Kukës dhe Vorë.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.