Vlerësimi i Programeve Elektorale, SCAN dhe IEP shpalosin kritikat! SCAN propozon pakt 10 vjeçar për politika fiskale, punësim dhe investime

SCAN dhe Instituti Europian Pashko kanë prezantuar sot për mediat një raport-vlerësimi mbi Programet Elektorale të Partive Politike për zgjedhjet e përgjithshme 2017 si dhe një propozim për një pakt kombëtar lidhur me vendimet ekonomike të ekzekutivit.
Presidenti i IEP-së, ekonomisti Selami Xhepa, tha se Programet e 3 partive të mëdha (PS / PD / LSI) nuk sigurojnë instrumentet për të mbështetur një rritje ekonomike të mjaftueshme. Sipas tij, nuk ka prioritete të qarta për reforma të mirë-financuara për arsimin dhe shëndetësi si dy sektor me rëndësi parësore për zhvillimin e vendit
Ai vlerësoi se është pozitiv fakti që në programet elektorale është tendenca e uljes së taksave te tre partitë, ku del në pah nevoja për kthim tek taksa e sheshtë.
“IEP e konsideron si një qasje të drejtë vlerësimin që të tre partitë e mëdha politike, PS, PD dhe LSI kanë në raport me politikat e taksimit, posaçërisht me tatimin mbi punën dhe kapitalin. Rritja e tatimit mbi punën dhe kapitalin ka ndikuar negativisht si në zgjerimin e punësimit ashtu dhe në mosshfrytëzimin e kapaciteteve që ka ekonomia për më shumë investime private, vendase dhe të huaja. Duke shprehur preferencën tonë të qartë për rikthimin e modernizuar të taksës së sheshtë, ne mbështesim edhe nismat e dy forcave të tjera politike që ruajnë tatimin progresiv por duke arritur në një reduktim të ndjeshëm të barrës fiskale”- thuhet në raportin me 8 pika të Institutit Europian Pashko .
Aktiviteti u zhvillua në bashkëpunim me Televizionin SCAN. Drejtori i Informacionit të këtij televizioni, Enio Civici, propozoi një pakt 10-vjeçar mes partive kryesore për një stabilitet makro-ekonomik të Shqipërisë. Ai renditi 5 pikat të cilat konsistojnë në:
- SCAN konsideron jetike për ekonominë shqiptare zgjerimin e mëtejshëm të marrëveshjeve politike në shërbim të zhvillimit ekonomik. Zgjatja në kohë dhe në substancë e disa politikave publike të njëjta pavarësisht partive që janë në pushtet përfaqëson stabilitetin e duhur makro-ekonomik të Shqipërisë.
- SCAN propozon një marrëveshje 10 vjeçare mbi politikat fiskale si angazhim për krijimin e mjedisit të përshtatshëm për të bërë biznes. Adoptimi i së njëjtës ofertë fiskale pavarësisht kreut të ministrisë së Financave si dëshmi e stabilitetit ekzekutiv të Shqipërisë.
- SCAN propozon një marrëveshje për përzgjedhjen dhe aplikimin e politikave të duhura të punësimit. Qasja kundrejt mënyrave të rritjes së punësimit duhet të jetë e njëjtë për të fuqizuar kanalet e drejtpërdrejta të punësimit.
- SCAN propozon një pakt kombëtar 10 vjeçar mbi infrastrukturën e thithjes së investimeve të brendshme dhe të huaja. Pavarësisht mandateve qeveritare, ndërtimin e mjedisit të favorshëm dhe të patjetërsueshëm të incentivave për investim në Shqipëri.
- SCAN propozon dakordësinë politike lidhur me identifikimin, mbështetjen dhe strukturimin e sektorëve me prioritet. Duhet një pakt 10 vjeçar i cili ndërton dhe ushqen të njëjtët sektorë me politika dhe vendime të qarta të pandryshueshme.
Gjithashtu Xhepa ka theksuar se programet elektorale ofrojnë premtime të pajustifikuara me burime financiare, gjë që është me rreziqe nga pikëpamja e stabilitetit financiar. Ai theksoi se qeverisja e ardhshme duhet t’i kushtojë një vëmendje më të madhe investimeve publike në arsim dhe shëndetësi dhe liberalizimin e këtyre tregjeve.
Në përfundim të bisedës SCAN propozon hartimin e një pakti kombëtar 10 vjeçar me qëllim qëndrueshmërinë e financave publike dhe ofertës ekonomike të Shqipërisë. Prezantimi i Shqipërisë duhet të jetë i zgjatur dhe i qëndrueshëm në kohë pavarësisht partisë në pushtet”- tha Civici, i cili argumentoi se ky pakt duhet të përfshijë stabilitetin e politikave fiskale, investimet dhe punësimin.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.