Vlerësohen 400 objekte – Dëmet nga tërmeti/ Klasifikimi zyrtar, në ditët në vijim
Grupi i Ekspertëve të Vlerësimit të Banesave ka përfunduar vlerësimin teknik të 400 objekteve, që u prekën nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit. Zyrtarisht Zyra e Drejtuesit Qendror të Operacioneve për Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore nuk bën ditur klasifikimin e tyre, duke mos patur një ndarje të qartë sesa prej tyre janë konsideruar të banueshme apo të pabanueshme.
Sipas kësaj zyre, ky klasifikim do të behët i ditur në ditët në vijim, ndërkohë që do të jetë përfundimi i gjithë procesit të vlerësimit, që do të përcaktojë dhe koston totale që do të kushtojë rikuperimi i të gjitha dëmeve të shkaktuar nga tërmeti. Paralelisht Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit vazhdon shembjen e banesave të shkatërruara nga tërmeti në Bashkinë Durrës, mbi bazën e vendimeve të këshillit bashkiak, sipas vlerësimit teknik zyrtar të ekspertëve.
Deri të hënën , në Qarkun Durrës numri i banesave të shembura arriti në 12, ndërkohë që 5 të tjera u shembën në Bashkinë Krujë. Ndërkaq, zyrtarisht raportohet se numri i personave të strehuar në struktura hotelerie ka pësuar një rënie, duke arritur në 2633. Nga ana tjetër, jo të gjithë personat e lënduar nga tërmeti kanë mundur të lenë spitalet, duke qenë se vijojnë të marrin ndihmë mjekësore 29 persona nga të cilët 22 në Spitalin e Traumës, 4 në Spitalin e Durrësit dhe 3 të tjerë të transferuar jashtë vendit për kurim.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.