Vllaznia në shitje, por sa vlen klubi? – Humbjet për bashkinë mbi 300 mln lekë. Fitimet shumë të ulëta

Teksa Bashkia e Shkodrës bën gati procedurat për shitjen e aksioneve të saj tek klubi i futbollit Vllaznia, hidhet dritë edhe mbi arsyet e këtij veprimi.
Shkak kryesor është bërë pamundësia e Bashkisë për të mbështetur më financiarisht ekipin, i cili ndër vite ka shkaktuar vetëm humbje në buxhetin vendor. Janë jo pak, por 308 milionë lekë të reja humbjet, të cilat kanë ardhur duke u thelluar vit pas viti.
Këto humbje janë pothuajse të barazvlefshme me kapitalin e KF. Vllaznia, i cili sot llogaritet në vlerën 320 milionë lekë.
“Bashkia Shkodër mendon se është e nevojshme që KF. Vllaznisë sh.a, si një klub me kërkesa të mëdha financiare, t’i krijohet mundësia e një administrimi më të përshtatshëm nëpërmjet PRIVATIZIMIT të tij. Privatizimi lind si nevojë për ta fuqizuar KF. Vllaznia sh.a”, shkruan në shkresa Bashkia.
Bashkia jep dhe shembujt e periudhave të mëparshme kur sponsorët arrinin të mbanin ekipin në nivele të larta, ndërsa vlerëson se privatizimi është një proces i mirëpritur nga tifozeria shkodrane.
Shitja e aksioneve të klubit do t’i kushtojë Bashkisë edhe disa shpenzime të tjera, konkretisht për vlerësimin e aseteve dhe përgatitjen e dokumentacionit për shitjen me ankand të aksioneve. Shërbimi i konsulencës do të kushtojë 833 mijë lekë, ndërsa vetë ankandi nuk pritet të ndodhë para Janarit të vitit të ardhshëm.
Në dokumentet e bashkangjitura procedurës për gjetjen e konsulentit, Bashkia publikuar edhe bilancin e klubit për 4 sezonet paraardhëse. Vetëm për vitin 2016, bilanci regjistron një vlerë negative prej 48 milionë lekësh.
Të ardhurat nga: | Viti 2013 | Viti 2014 | Viti 2015 | Viti 2016 |
Bileta | 2,190,600 | 1,591,099 | 450,500 | 2,667,812 |
Reklama | 4,010,000 | 1,300,000 | – | 1,577,711 |
Sponsorizime | – | 1,200,000 | 490,248 | – |
Shitje lojtaresh | – | – | 9,819,878 | 2,500,000 |
Drejta televizive | 6,700.000 | 7,000,000 | 7,000,000 | 7,208,000 |
Formimi i lojtarve | – | – | 2,139,770 | – |
Brand value | – | – | – | – |
Bashkia Shkodër | 44,000,000 | 57,822,000 | 62,000,000 |
Për vlerësimin e pasurisë së klubit, do të përdoret metoda që mbështetet në faktorë si të ardhurat, rezultatet sportive dhe tifozeria. Klubi 9 herë kampion i Shqipërisë është themeluar si shoqëri aksionare në 29 Gusht 2011.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.