Vlora pajiset me aparaturë të re mamografie

Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu është ndalur sot në qytetin e Vlorës.
Për gratë e moshës 40 – 50 vjeç, mamografia u ofrua falas nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nëpërmjet dy mamografëve të lëvizshëm. Synimi kryesor i kësaj fushate është zgjerimi i diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit.
Në këtë takim Manastirliu njoftoi se Vlora do të ketë së shpejti një aparaturë të re mamografie.
“Vlora është një prej 5 spitaleve rajonale që, së bashku me Durrësin, Gjirokastrën, Dibrën dhe Kukësin, shumë shpejt do të kenë aparaturat e reja të mamografisë. Ndërkohë, mamografët e lëvizshëm do të vijojnë rrugëtimin e tyre përgjatë gjithë vitit, për të kryer këtë depistim edhe në zonat rurale, ku ka mungesë aksesi për këtë shërbim”, u shpreh Ministrja Manastirliu.
Sipas kalendarit të muajit Tetor, mamografët e lëvizshëm do të qëndrojnë në Vlorë për disa ditë, për t’u zhvendosur më pas në Gjirokastër, Përmet dhe Lezhë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.