Vlorë-Sarandë/AKU ndalon furgonin me qumësht të skaduar, gjobit një restorant
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në këtë periudhë të temperaturave të larta e shtimit të volumit të tregtisë në kuadër të sezonit turistik, është në çdo kohë në aksion për identifikimin, kontrollin, evidentimin, dënimin dhe ndalimin e çdo veprimtarie të kundraligjshme e të rrezikshme nga subjektet që neglizhojnë apo shkelin rregullat e Sigurisë ushqimore. Për këtë arsye AKU ka nisur një tjetër aksion, atë të kontrollit në furgona që furnizojnë lokalet dhe marketet në të gjithë qarkun e Vlorës por dhe më gjerë.
Konkretisht, trupat inspektuese e DRAKU, Vlorë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ndaloi një furgon në qytetin e Sarandës me 40 kg qumësht të skaduar para 4 muajsh, 31 kuti me çaj sherebel të skaduara para një viti.
Menjëherë u bë bllokimi i produkteve të skaduara dhe u mor masa administrative me gjobë në vlerën 200.000 lekë.
Gjithashtu, nga Drejtoria Rajonale AKU Vlorë ka nisur aksioni për kontrollin e të gjithë restoranteve që ushtrojnë aktivitetin në këtë qark.
Konkretisht nga kontrolli i trupës inspektuese të DRAKU Vlorë rezultoi se subjekti me aktivitet bar restorant ushtronte aktivitetin e tij në mungesë të kushteve higjieno-sanitare.
Për shkeljet e konstatuara për subjektin u mor masa administrative me gjobë në vlerën 300.000 lekë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.