VMRO-DPMNE përsërit mbështetjen e një qeverie pakice nëse LSDM heq dorë nga gjuha shqipe
Pas vendimit të partisë së Ali Ahmetit për të qenë pjesë e qeverisë së ardhshme, ka ardhur menjëherë një reagim zyrtar nga VMRO-DPMNE.
“Zgjedhjet e dhjetorit qytetarët nuk votuan për platformën nga Tirana. Kjo platformë apo çdo platformë tjetër e hartuar në një vend të huaj nuk mund dhe nuk duhet të bëhet kusht për formuar qeverinë”, thuhet në deklaratën zyrtare të VMRO-DPMNE.
Sipas kësaj partie, LSDM është shantazhuar për ta pranuar këtë platformë. VMRO-DMPNE i bën thirrje Zaev të pranojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja, nëse ai beson se qytetarët e mbështesin një platformë shqiptare.
Nëse Zaev është i gatshëm të heqë dorë nga kërkesat e partive shqiptare, atëherë partia e Gruevskit ka treguar edhe një herë gatishmërinë për mbështetjen e një qeverie pakice, nëse LSDM heq dorë nga kjo platformë.
Sipas VMRO-DPMNE, “kjo parti ka një obligim ndaj qytetarëve të cilët votuan në shumicë koalicionin “Për një Maqedoni më të mirë” dhe nuk mund të lejojë vendimmarrjet që bien në kundërshtim me interesat kombëtare”, shkruhet në fund të deklaratës zyrtare.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.