Volkswagen sjell robotin e karikimit për makinat elektrike – Pajisja vjen në destinacionin e kërkuar për rimbushje
Volkswagen është duke hedhur në treg një sistem inovativ për të karikuar baterinë e automjeteve elektrike. Kjo jo nëpërmjet një qënie njerëzore, por përmes një roboti.
Prodhuesi ka shpikur robotin me aftësi për të rimbushur në mënyrë autonome makinat elektrike, duke e shndërruar kështu çdo vend parkimi, në një hapësirë karikimi baterish për makinat.
Ky sistem përbëhet nga dy njësi; një robot dhe një pajisje e ruajtjes së energjisë. Roboti mund të thërritet nga drejtuesit e automjeteve me bateri nëpërmjet një aplikacioni të dedikuar. Pas kësaj komande, roboti sjell pajisjen e karikimit në destinacionin e kërkuar.
Më pas, ai është në gjendje të hapë portën e karikimit dhe ta lidhë me prizën. Gjatë pritjes së përfundimit të procesit, roboti shkon te një tjetër makinë elektrike, e cila është në pritje. Po ashtu, roboti është i pajisur me skaner dhe sensorë për t’u siguruar se mund të lëvizë pa problem brenda zonës së parkimit.
Sipas Volkswagen, sistemi do të sjellë një revolucion për metodat e karikimit sepse sjell infrastrukturë të re për makinat dhe jo anasjelltas. Nga ana tjetër, ky modul mund të përdoret në pothuajse çdo zonë parkimi. Metoda do të zgjidhte problemin që pikat e karikimit kanë, pasi shpesh bëhen të papërdorshme nga mbingarkesa.
Volkswagen beson se ky realitet do të vijë shumë shpejt edhe pse ende nuk ka një datë për të filluar këtë treg “revolucionar”. /ilsole24ore/
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.