Vonesa 12-vjeçare për impiantet eolike – ERE, “shans” të dytë të licencuarve, nuk iu revokon lejet

Pavarësisht vonesave 12-vjeçare, Enti Rregullator i Energjisë ka vendosur të mos revokojë licencat e 3 kompanive të licencuara në prodhimin e energjisë elektrike nga era. Vendimet e ERE-s vijnë pas një monitorimi që ky dikaster ndërmori pikërisht për shkak të të vonesave në ndërtimin e këtyre impianteve si dhe pas një vendimi paraprak, që propozonte heqjen e këtyre licencave. Monitorimi kishte në fokus mbikëqyrjen e plotësimit të kushteve të vendimeve të licencimit për shoqëritë që do të prodhojnë energjie elektrike nga centralet eolike, duke synuar evidentimin e shkaqeve që kishin çuar këto kompani të mos përmbushnin detyrimet.
Ndërkohë që, me përfundimin e procesit do të vendosej nëse do të kishte shtyrje apo jo e afateve për plotësimin e secilës prej kushteve të këtyre licencave nga subjektet respektive. Pas përfundimit të procesit, në muajin mars, ERE ndërmori vendime të ngjashme, që u finalizuan me heqjen e licencave për 2 kompani.
Ndërkaq, në në një prej këtyre vendimeve ERE citonte edhe qëndrimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, që nuk është dakord me shtyrjen e afatit, duke theksuar se kjo mund të binte në kundërshtim edhe me strategjinë e këtij dikasteri për zhvillimin e procedurave konkurruese për ndërtimin e këtyre objekteve gjeneruese të cilët kanë mundësinë e marrjes pjesë në ankandin që do të zhvillohet. Ndërtimi i impianteve të prodhimit ët energjisë nga era ka një rëndësi të veçantë të drejtim të diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë, duke qenë se vendi ynë vazhdon të dominohet nga burimet ujore, çka në periudha thatësirash pasohet me fatura tejet të larta për importin e energjisë.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.