Vonesa e udhëzimeve për fotovoltaikët – Balluku mbledh drejtorët. Ende pa zgjidhje hedhja e energjisë ne rrjet
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e institucioneve të fushës së energjisë, mbi problematikat e hartimit të metodologjisë, që do të mundësojë hedhjen e energjisë në rrjet nga konsumatorët që prodhojnë energji nga fotovoltaikët.
Ndonëse nuk kishte propozime konkrete për zgjidhjen e situatës, u propozua nevoja për certifikime teknike, duke bërë që fotovoltaikët të mos instalohen në mënyrë të pavarur nga çdo konsumator.
Ndërkaq, Balluku deklaroi se do të zhvillojë edhe një dëgjesë me grupet e interesit.
Takimi erdhi pas ankesave të investitorëve që operojnë në sektorin e energjisë së prodhuar nga fotovoltaikët mbi tejkalimin e afateve të miratimit të akteve nënligjore, që po mbajnë peng zbatimin e ligjit “Për nxitjen e Përdorimit të Energjisë nga Burimet e Rinovueshme”.
Në kushtet aktuale, të gjitha investimet që janë bërë për këto impiante fotovoltaike funksionojnë vetëm për të plotësuar një pjesë të nevojave vetjake për energji dhe teprica e energjisë së prodhuar “humbet” ose në rastin më të keq i faturohet autokonsumatorit si konsum i energjisë elektrike.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.