Vonesat e centraleve eolike – COVID-19 shtyn monitorimin e ERE-s në terren, do vendoset “fati” i të licencuarve
Situata e krijuar nga koronavirusi i ri ka detyruar Entin Rregullator të Energjisë të shtyjë edhe njëherë afatin e kryerjes së monitorimeve pranë shoqërive të licencuara në veprimtarinë e pordhimit të energjisë elektrike nga centralet eolike. Kjo bën që ende të mos kemi një situatë të qartë se çfarë po ndodh me vonesat në ndërtimin e impianteve të prodhimit të energjisë nga era, ndonëse prej kohësh ERE ka lincencuar disa kompani për ushtrimin e kësaj veprimtarie. Procesi i monitorimit nisi në fund të vitit 2019, ndërsa kishte në focus mbikëqyrjen e plotësimit të kushteve të vendimeve të licencimit për shoqëritë që do të prodhojnë energjie elektrike nga centralet eolike.
ERE ka vendosur pezullimin e shqyrtimit të kërkesave të këtyre shoqërive për shtyrjen e afatit të plotësimit të kushteve të liçensimit, për të vijuar me kryerjen e monitorimeve pranë këtyre shoqërive. Mbikëqyrja kryhet pranë selive dhe zonave ku do të shtrihen dhe zhvillohen projektet eolike, me qëllim evidentimin, dokumentimin dhe shqyrtimin e të gjitha rrethanave të cilat aplikuesit pretendojë se u kanë pamundësuar zbatimin e kushteve dhe afateve të parashikuara respektivisht në vendimet përkatëse të licencimit.
Ndërkaq, ERE parashikon që proçesi i monitorimit, hartimi i konkluzioneve përkatëse dhe marrja e vendimeve nga ERE pritet të mbyllet përgjatë vitit 2020. Me përfundimin e këtij monitorimi nga ERE do të vlerësohen në analizë të gjetjeve të monitorimit edhe shtyrja apo jo e afateve për plotësimin e secilës prej kushteve të këtyre liçensave nga subjektet respective. Ndërtimi i impianteve të prodhimit të energjisë nga era ka një rëndësi të veçantë të drejtim të diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë, duke qenë se vendi ynë vazhdon të dominohet nga burimet ujore, çka në periudha thatësirash pasohet me fatura tejet të larta për importin e energjisë.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.