Votimi i emigrantëve, gati tryeza me OSBE – Etapat përpara realizimi dhe kostoja për votues

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, ka njoftuar se më datë 16 Janar do të organizohet një tryezë e rrumbullakët në bashkëpunim me prezencën e OSBE-së në Shqipëri. Tema e takimit që do të zhvillohet në sallën e Kryesisë së Kuvendit është votimi i shtetasve shqiptarë jashtë vendit.
Duket kështu se votimi i emigrantëve po ecën me një ritëm mjaft të shpejtë, duke qenë edhe prioritet i misionit të ministrit për Diasporën, por edhe një nga prioritetet e qeverisë.
Votimi i shtetasve shqiptarë jashtë vendit do të jetë në qendër të tryezës së rrumbullakët që organizohet nga Ministri i…
Posted by Ministri i Shtetit për Diasporën on Tuesday, January 9, 2018
Por pavarësisht se tashmë ndodhet në tavolinën e diskutimit me institucione ndërkombëtare, ka ende disa etapa dhe detaje që duhet të diskutohen përpara se një reformë e tillë në sistemin zgjedhor të mund të ndodhë.
Fillimisht duhet kryer procesi i regjistrimit të të gjithë komunitetit shqiptar nëpër botë, me adresat e plota të banimit në mënyrë që të mund të votojnë nga vendet ku jetojnë. Një nismë e tillë, sipas deklaratës së kryeministrit Rama në fund të tetorit të kaluar, duhet të realizohet brenda vitit 2018, i cili përkon me vitin mbarëkombëtar të Skënderbeut.
Një tjetër detaj jo i vogël është kostoja që do të sillte për buxhetin e shtetit, dhënia e të drejtës së votimit dhjetëra mijëra shqiptarëve jashtë kufijve.
Në një draft të propozuar nga Majko, në Komisionin e Reformës Zgjedhore, propozohen dy mënyra votimi: votim i drejtpërdrejtë në qendrat e posaçme të ngritura jashtë vendit dhe votimi me postë.
Nëse e para mund të zbatohet në vendet ku ka një përqëndrim të madh të shqiptarëve, ajo mbart edhe një kosto më të madhe, kundrejt votimit me postë. Kjo e fundit përllogaritet të kushtojë 20-25 dollarë për çdo votues të jashtëm, një shifër e pranueshme duke marrë parasysh faktin që brenda vendit kostoja për votues është rreth 22 dollarë.
Thelbësore është gjithashtu edhe pjesëmarrja e opozitës në këtë proces. Dakordësia mes palëve është një faktor, që pavarësisht mbështetjes së ndërkombëtarëve, po shtyn një tjetër reformë në sistemin zgjedhor, atë të votimit dhe numërimit elektronik.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.