Votohen në Kuvend – ‘Parandalimi i pastrimit të parave’ dhe ligjet me shumicë të cilësuar

Projektligji për parandalimin, pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit është nisma e fundit që pritet të shqyrtohet nga mazhoranca në kuadër të një sërë ligjesh të miratuara për reformën në drejtësi. Projektligji do të diskutohet të hënën në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, si komision përgjegjës.
Projektligji bën rregullime të disa dispozitave ku parashikohen institucionet e reja të krijuara me ligjin për “Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” dhe ligjit “Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë”.
Propozimet parashikojnë se krahas Prokurorit të Përgjithshëm edhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme ka të drejtë të shkëmbejë informacione dhe të lidhin marrëveshje bashkëpunimi me Shërbimin Informativ Shtetëror dhe autoritetet e tjera për çështjet e pastrimit të produkteve të veprës penale, ose financimit të terrorizmit.
Me ndryshimet e bëra me këtë nismë thuhet se rregullohet edhe përbërja e Komitetit të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave, i cili ka në përbërje Ministrin e Financave dhe disa ministri të tjera, guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Drejtorin e SHISH-it dhe Inspektorin e Përgjithshëm të ILDKP-së.
Në axhendën e punimeve parlamentare janë përfshirë të gjitha ligjet e parashikuara të reformës në drejtë, të cilat kërkojnë shumicë të cilësuar votash. Pas miratimit në Komisionin e Ligjeve të ndryshimeve në “Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale në Republikës së Shqipërisë, shumica pritet të rikonfirmojë 84 votat në seancën e ardhshme plenare.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.