Vrulli i ekonomisë gjermane – Ifo rrit projeksionet, në linjë me Bundesbank
Instituti për hulumtime mbi ekonominë Ifo, rriti projeksionet për Gjermaninë për këtë vit edhe tjetrin, duke theksuar kërkesën e fortë të brendshme, rritjen e eksporteve dhe punësimin në nivele rekord.
“Po përjetojmë një rritje ekonomike shumë të fortë në gjysmën e parë të vitit, që ka gjasa të vazhdojë edhe në 2018-ën”, deklaroi institucioni.
Analistët thonë se optimizmi vjen prej rritjes së konsumit, aktivtetit të fortë të ndërtimit dhe prej përmirësimit të ekonomive të Eurozonës që kanë nxitur eksportet e Gjermanisë.
Ifo rriti projeksionet për 2017-ën në 1.8% nga 1.5%, ndërsa për 2018-ën, institucioni pret që Produkti i Brendshëm Bruto i Gjermanisë të rritet me 2%.
Për këtë vit, institucioni pret që 44.2 milionë individë të jenë të punësuar, krahasuar me 43.6 milionë që rezultoi vitin e kaluar.
Mbi nivelin e çmimeve, projeksionet qëndrojnë për 1.7% këtë vit dhe 1.6% në 2018-ën. Projeksionet e reja përputhen me Bankën Qendrore të Gjermanisë, që rriti parashikimin për ekonominë gjermane në 1.9% këtë vit dhe 1.7% në tjetrin.
Megjithatë, projeksionet e Qeverisë janë më pesimiste, me 1.5% për këtë vit dhe 1.6% në 2018-ën.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.