Vuçiç ‘merr timonin’ i vetëm – Zgjedhjet në Serbi rezultojnë sukses edhe për shqiptarët e Preshevës
Koalicion Progresist Serb, ka arritur të marrë votat e mbi 63% të elektoratit, e do të ketë në parlament mbi 190 deputetë.
Sukses këto zgjedhje kanë qenë edhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës, që falë votave kanë fituar 3 vende në parlament, por presin që të konfirmohet edhe i katërti. Ky sukses u arrit falë bashkimit të partive shqiptare, pas thirrjeve nga Prishtina dhe Tirana.
Vetë kreu i shtetit serb tha se ishte befasuar nga ky rezultat i partive shqiptare. Votuesit serbë i japin për herë të tretë të drejtën Aleksandar Vuçiç që të drejtojë vendin, e këtë ai në legjislacionin e radhës mund ta bëjë pa koalicionet me partitë e tjera.
Aleatët socialistë të Ivica Daçiçit dolën të dytët me gati 11 për qind apo 32 deputetë, ndërsa Aleanca Patriotike zuri vendin e tretë me 4 deputetë nga 250 që numëron Kuvendi i Serbisë.
Në këto zgjedhje, 5 partitë politike shqiptare që garuan si koalicioni “Alternativa Demokratike Shqiptare” në Preshevë siguruan gati 1 për qind të votës, që e përkthyer në mandate u lejon atyre të përfaqësohen në parlament me 3 deputetë apo 2 më shumë se në zgjedhjet e kaluara.
Nga Brukseli, Komisioneri për Zgjerimin, Olivér Várhelyi, uroi qeverinë e re që do marrë drejtimin e vendit dhe shprehu angazhimin e BE-së për ta ndihmuar Serbinë të ecë shpejt drejt anëtarësimit dhe rimëkëmbjes ekonomike në kuadër të krizës së kovidit-19.
“Ditë e rëndësishme për Serbinë me zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Mezi presim të punojmë me qeverinë e re për çështje të BE-së”, – shkroi ai në Twitter.
D.B – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.