Vuçiç president: “Më shumë bashkëpunim në rajon, të eliminojmë varfërinë”

“Serbia është gati që të punojë së bashku me të gjitha fuqitë globale por edhe vendet e rajonit në mënyrë që të sigurojë një të ardhme më të shndritshme për popullin e saj”, deklaroi Alexandar Vucic gjatë fjalimit të tij të inaugurimit në postin e Presidentit të Republikës.
Gjatë ceremonisë morën pjesë më shumë se 5000 të ftuar nga 21 vende të ndryshme të globit, përfshirë Kinën dhe Rusinë.
Në përpjekjen e tij për t`i bërë thirrje vendeve të rajonit për më shumë bashkëpunim, Vuçiç i lëshoi një apel edhe Kroacisë dhe Bosnje Hercegovinës, që të punojnë të gjithë së bashku për një zhvillim më të gjerë ekonomik dhe për të eliminuar varfërinë.
Ndër të tjera, presidenti i ri i Serbisë nënvizoi se, integrimi në Bashkimin Europian dhe bashkëpunimi më i ngushtë me unionin është një ndër prioritetet e qeverisë.
Alexander Vucic vuri theksin te epoka e re e bashkëpunimit në fusha të ndryshme mes Beogradit dhe Pekinit.
Ky ishte evenimenti më i madh i këtij lloji në Serbi gjatë dekadave të fundit, si dhe tërhoqi vëmendjen e kancelarive të ndryshme të botës.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.