Washington Post: Trump nën hetim, akuzohet për pengim të drejtësisë

Presidenti amerikan, Donald Trump është nën hetim nga prokurori special, Robert Mueller me akuzën e pengimit të drejtësisë, shkruan agjencia e lajmeve Reuters duke cituar Washington Post.
Mueller po heton mbi çështjen e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane, skandal i njohur ndryshe si Russiagate.
Vendimi për të nisur hetimet ndaj Donald Trump, për një akuzë të tillë si pengimi i drejtësisë, vjen pas akuzave të ish drejtorit të FBI-së, Comey, i cili deklaroi se, presidenti amerikan i ka kërkuar të mos ta hetojë këtë çështje.
Sipas Reuters dhe Washington Post, 5 persona deri më tani janë lajmëruar si dëshmitarë ose persona në dijeni me çështjen dhe do të merren në pyetje nga Mueller.
Dy prej tyre janë drejtuesi aktual i NSA-së, agjencisë së sigurisë kombëtare, dhe ish drejtuesi i kësaj agjencie.
Burimet për agjencinë e lajmeve pohojnë se hetimi ka nisur pak ditë pas shkarkimit të Comey si kreu i FBI-së nga Donald Trump.
Zëdhënësi i ekipit ligjor të presidentit ndërkohë reagoi ashpër ndaj këtij lajmi, por duke mos e mohuar atë.
“Rrjedhja e informacioneve të FBI-së është e pajustifikueshme dhe e paligjshme”-nënvizoi ai.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.