“WEF”, raport për turizmin – Shqipëria, konkurrentja më e dobët, por “fituesja” e vitit
“Forumi Ekonomik Botëror” ka publikuar raportin e konkurrueshmërisë 2017 për turizmin, që është edhe ndër dokumentet më me peshë në skenën globale e që vë në peshore të gjitha vendet e botës.
Raporti tregon se sa të konkurrueshëm janë sa i përket turizmit 136 shtete të ndryshme të botës nëpërmjet përpilimit të një indeksi që merr në vlerësim disa faktorë, që nga ata ekonomikë deri te ata kulturorë.
Shqipëria është e 98-ta në botë në këtë renditje prej 136 vendesh, dhe është përmirësuar me jo pak, por me 8 pozicione në këtë renditje në krahasim me vitin 2015. Vendi ynë është i katërti në listë ndër vendet që kanë regjistruar përmirësimin më të madh në këtë renditje.
Një vit më parë renditej në vendin e 106-të ndër 141 shtete. Por pavarësisht progresit, për të mos folur pastaj për potencialin që ka turizmi në vendin tonë, Shqipëria është thuajse e fundit në rajon, me përjashtim të Bosnje Hercegovinës.
Forumi Ekonomik Botëror, nëpërmjet këtij raporti, që shërben si kornizë për sektorin, nënvizon se, turizmi shqiptar është ai më pak i konkurrrueshëm në rajon. Maqedonia renditet 89, Serbia e 95-ta, Mali i Zi i 72-ti, Kroacia e 32-ta dhe Greqia e 24-ta.
Nga ana tjetër, të gjitha vendet fqinje, me përjashtim të Greqisë, kanë pësuar një përkeqësim në këtë renditje, ose kanë mbetur në vend, ndërkohë që Shqipëria ka ritmet më të larta në rajon.
Ndër 5 nën-indikatorë, Shqipëria merr pikët më të ulta sa i përket ambientit të biznesit, vetëm 4.1 pikë, ndërkohë që pikëzimin më të lartë e regjistron te nën-indikatori që i referohet sigurisë.
Kur flitet për ambientin e biznesit Shqipëria renditet e 109-ta në botë, ndër 136 ekonomi, ndërkohë që sa i përket sigurisë renditet e 46-ta në botë, duke lënë pas të gjitha vendet e rajonit, dhe jo vetëm, por edhe vende si Italia, Gjermania etj.
Edhe sa i përket konkurrueshmërisë së turizmit shqiptar në bazë të çmimeve, Shqipëria mbetet e fundit në rajon, duke u renditur e 83-ta në botë.
Pikët minimale, vetëm 1.1 pikë ndërkohë ja jep nën-indikatori i burimeve kulturore, si dhe ai i infrastrukturës së transportit ajror, sa i përket indikatorit që i referohet infrastrukturës. Në këtë nën-indikator Shqipëria renditet e 109-ta në botë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.