Weidmann pas Draghit? – Gjermani e lë derën të hapur për kandidaturë në 2019
Jens Weidmann, numri një i Bankës Qendrore të Gjermanisë, dhe një prej zërave më aktiv brenda Bankës Qendrore Europiane është një prej kandidaturave më të mundshme për të pasuar Mario Draghin në krye të institucionit.
Ka qenë vetë Weidmann ai që ka dhënë sinjalin më të fortë deri më tani, duke mbajtur të hapur derën për mundësinë e kandidimit të tij vitin e ardhshëm. Në rast se do të zgjidhej pikërisht Weidmann si zëvendësuesi i Mario Draghit, atëherë do të kishte një ndryshim radikal të politikave monetare të Bankës Qendrore Europiane.
Weidmann ndjek linjën e Berlinit zyrtar, pra atë të konservatorizmit në drejtim të politikave monetare. Madje edhe në daljen e tij të fundit ai i bëri apel politikëbërësve të bankës që të ndërhyjnë sa më shpejt për t`i dhënë fund programit të blerjes së titujve në shkallë të gjerë.
Sa i përket kandidimit të tij, Weidmann u shpreh: “Unë mendoj se çdo anëtar i bordit drejtues të bankës duhet të përfshihet në drejtimin e politikave monetare edhe në role të tjera”, duke nënkuptuar në këtë mënyrë, presidencën e bankës.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.