WhatsApp merr gjobën rekord në Europë prej 225 milion eurosh – Kompania rishikon politikën e saj të privatësisë

WhatsApp ka rishkruar politikën e tij të privatësisë për përdoruesit evropianë pasi iu dha një gjobë rekord prej 225 milionë eurosh nga rregullatorët irlandezë për mbrojtjen e të dhënave në fillim të këtij viti.
Politika e re, e publikuar, përfshin më shumë detaje se si kompania në pronësi të Meta mbledh dhe përdor të dhënat e klientëve, si ruhen dhe kur fshihen.
Shërbimi i mesazheve tha gjithashtu se kishte shtuar më shumë detaje mbi “pse ne ndajmë të dhëna përtej kufijve”, si dhe bazat ligjore për përpunimin e informacionit të përdoruesve.
Përdoruesit e WhatsApp në Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar do të marrin një njoftim që i drejton ata drejt informacionit të përditësuar, por nuk do të duhet të ndërmarrin asnjë veprim tjetër.
“Ky përditësim nuk ndryshon mënyrën se si ne e operojmë shërbimin tonë, duke përfshirë mënyrën se si i përpunojmë, përdorim ose ndajmë të dhënat tuaja me këdo, përfshirë kompaninë tonë mëmë Meta”, tha WhatsApp.
Shërbimi i bisedës tha se ndërsa nuk ishte dakord me vendimin, duhej të pajtohej duke përditësuar politikën e tij ndërsa apelonte vendimin.
Pse u gjobit WhatsApp?
Filiali evropian i WhatsApp me bazë në Dublin u gjobit nga Komisioni i Irlandës për Mbrojtjen e të Dhënave (DPC) në shtator për shkelje të rregulloreve të rrepta GDPR që rregullojnë ndarjen e të dhënave në BE.
Në vendimin e saj, DPC zbuloi se WhatsApp nuk kishte qenë mjaft transparent për mënyrën se si trajtonte të dhënat e përdoruesve.
Kjo do të thoshte se shërbimi i mesazheve nuk kishte dhënë informacion të mjaftueshëm rreth mënyrës se si u mblodhën të dhënat “në një formë koncize, transparente, të kuptueshme dhe lehtësisht të arritshme, duke përdorur një gjuhë të qartë dhe të thjeshtë”, tha DPC.
Rregullatori irlandez vendosi gjithashtu një qortim së bashku me një urdhër që WhatsApp të sillte përpunimin e tij në përputhje duke ndërmarrë “një sërë veprimesh të specifikuara korrigjuese”.
WhatsApp aktualisht po apelon kundër vendimit. Në shtator kompania tha se gjoba që mori ishte “krejtësisht joproporcionale”.
Dënimi prej 225 milionë eurosh është më i madhi i dhënë ndonjëherë nga DPC, dhe i dyti më i madhi i lëshuar sipas GDPR, pas një gjobe prej 746 milionë eurosh dhënë Amazon nga autoritetet në Luksemburg.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.