“White Rocks”/Miratohet investimi strategjik turistik në Dhërmi! Brigjet, në përdorim për 20 vite

Qeveria shqiptare ka miratuar një tjetër investim strategjik në zonën e Himarës. Referuar vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, projekti i ri strategjik është emërtuar “White Rocks” në Dhërmi.
Investitori ka përfituar statusin e investitorit strategjik, procedurë e asisteuar me 4 mars të vitit 2019, nga Komiteti i Investimeve Strategjike.
Afati për përdorimin e brigjeve, sipas këtij vendimi do të jetë për 20 vite, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Bashkia Himarë ka detyrimin që brenda 15 ditësh nga data e paraqitjes së investitorit strategjik të lidhë kontratën përkatëse për lejimin e përdorimit të brigjeve të detit, në përputhje me sipërfaqet dhe destinacionin e kërkuar nga subjekti, brenda koordinatave të sipërfaqes së lejuar nga vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike.
Investitori strategjik do t’i përdorë brigjet përgjatë periudhës së sezonit veror 15 maj-30 shtator të çdo viti kundrejt pagesës së tarifës në përputhje me tarifën e plazheve të përcaktuar në vendimin e Këshillit Bashkiak Himarë.
Të ardhurat e mbledhura nga tarifa për dhënien e së drejtës së përdorimit të brigjeve administrohen dhe bëjnë pjesë në buxhetin e bashkisë Himarë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.