“WHO” rekomandon Shqipërinë – Bashkë me Italinë, Greqinë dhe Kroacinë, destinacioni europian për 2019
Revista prestigjioze “Who” e rendit Shqipërinë ndër 4 destinacionet kryesore për t`u vizituar në Europë këtë verë, së bashku me Kroacinë, Greqinë dhe rajonin e Puglias në Itali. “Shqipëria mund të mos jetë një vend shumë i njohur, por pavarësisht kësaj, vendi jashtëzakonisht i bukur i Europës jugore meriton të njihet si një prej vendeve për t`u vizituar patjetër në 2019”-këshillon revista lexuesit e saj.
“Me çmime më të lira se Greqia dhe Kroacia, Shqipëria ofron peizazhe mahnitëse malesh, plazhe me ujë kristal dhe qytete kala, pa turmat e zakonshme të njerëzve”-vijon më tej përshkrimi i Shqipërisë. Një vëmendje të vecantë merr Ksamili në Sarandë. “Fshati i vogël i Ksamilit, bashkë me Rivierën shqiptare ofron ndër plazhet më spektakolare në Europë, ushqim deti me bollëk si dhe janw shumë afër Butrinit dhe Gjirokastërës, dy zona të mbrojtura nga UNESCO”-thuhet mes rreshtave.
“Shqipëria mbetet destinacioni ku mund të ngjitesh nëpër male, të qëndrosh në fshatrat e vegjël të cilët janë jashtë kohës, si dhe të eksplorosh kryeqytetin plot gjallëri, Tiranën, për më pak para se kudo tjetër në Europë”—mbyllet shkrimi i revistës, duke i`u referuar edhe guidës së Lonely Planet për 2019. Janë të shumta agjencitë e huaja dhe mediat prestigjioze që i kanë bërë jehonë Shqipërisë dhe bukurive të saj, duke e rekomanduar si një prej destinacioneve kryesore për 2019.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.