WikiLeaks publikon “Kasaforta 7” – 8761 dokumente mbi hackimet e CIA-s

WikiLeaks ka postuar mijëra dokumente të CIA-s, të cilat përdoreshin nga agjencia për të hackuar gjithçka, nga celularët tek kompjuterët, aplikacionet e mesazheve dhe televizorët me internet.
“Vault 7”, ose “Kasaforta 7” është mbiquajtur tërësia e rreth 8761 dokumenteve nga WikiLeaks. Sipas tyre ky është publikimi më i madh i bërë ndonjëherë i dokumenteve konfidenciale të agjencisë.
WikiLeaks thotë se ka demaskuar “virusin” që agjencia përdorte për të hackuar smartphone-ët dhe për të shndërruar disa nga televizorët në mikrofona përgjimi.
Ndërkohë CIA ka zgjedhur të mos komentojë mbi vërtetësinë e materialit të ekspozuar në dokumentet e inteligjencës.
WikiLeaks thotë se CIA së fundmi ka humbur kontrollin e shumicës së arsenalit të saj të hackimit. “Ky koleksion i jashtëzakonshëm, që përfshin disa miliona linja kodimi, i jep zotëruesit të tërë kapacitetin hackues të agjencisë së inteligjencës”, thuhet në njoftimin e portalit.
Sipas tyre, arkiva ka disa kohë që qarkullon në mënyrë të paligjshme mes hackerave qeveritarë dhe të kontraktuar. Një nga ta e ka bërë arkivën të disponueshme edhe për WikiLeaks.
Tashmë debati zhvendoset tek agjencia e inteligjencës dhe nëse ajo ka të drejtën të hackojë dhe të kontrollojë kaq shumë pajisje. Këto informacione tregojnë se si CIA mund të aktivizojë në çdo kohë mikrofonin e celularit për përgjim, të marrë të dhëna mbi vendndodhjen e të lexojë çdo mesazh.
Një ndër dokumentet e bëra publike tregon edhe se si CIA në bashkëpunim me inteligjencën britanike kanë zhvilluar një program që mund të hackojë televizorët Samsung, duke e bërë zotëruesin të mendojë se është i fikur, por në të vërtetë po kryen funksionin e një çimke.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.