Wizz Air sjell avionin e pestë në TIA: Nisin fluturimet direkte drejt Barcelonës dhe Köln
TIA njofton se Wizz Air, linja ajrore me rritjen më të shpejtë në Europë njoftoi sot vendosjen e avionit të 5-të në bazën e saj në Tiranë i cili do t’i bashkohet flotës së Wizz Air duke mundësuar fillimin e fluturimeve direkte nga TIA drejt Barcelonës në Spanjë dhe Köln në Gjermani.
Sipas njoftimit Constantin von Alvensleben, Shefi i Përgjithshëm Ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës u shpreh se: “Fakti që Wizz Air stacionon pesë aeroplanë në Tiranë është një shenjë e madhe e besimit për këtë aeroport dhe rezultat e disa viteve të bashkëpunimit të suksesshëm. Ky hap ofron një perspektivë të re për Shqipërinë duke e afruar vendin me Europën. Jam i kënaqur të njoftoj angazhimin tonë për të vazhduar bashkëpunimin me Wizz Air për një zhvillim thelbësor që do të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë, pas pandemisë dhe gjithashtu do t’u ofrojë konsumatorëve një gamë të gjerë destinacionesh të përballueshme me çmime të ulëta”.
Në eventin e organizuar në ambientet e jashtme të aeroportit Nënë Tereza ishte prezent edhe Blendi Klosi, Ministër i Turizmit dhe i Mjedisit, i cili theksoi se: “Shqipëria është në vëmendjen e turistëve të huaj dhe duhet të bashkojmë forcat të gjithë ne, që të rrisim standardet e cilësisë së shërbimit, që nga porta hyrëse dhe deri tek plazhet apo qendrat historike shqiptare. Me marrjen e menaxhimit të ri të aeroportit, duket që ka një lehtësim të të bërit biznes, me tarifa më të negociueshme me kompanitë ajrore që kanë interes për Shqipërinë, fakt ky që nxit konkurencën e lirë dhe të ndershme, ku përfituesi është pasagjeri”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.