Xhafaj për Policinë e Dibrës: Zvicra do të mbështesë trajnimin dhe organizimin e oficerëve në terren
Komisioni për Sigurinë po diskuton në parim buxhetin e akorduar për Ministrinë e Brendshme. Ministri Fatmir Xhafaj u shpreh se buxheti për këtë institucion është 21.1 mld lekë, më i larti në 10 vitet e fundit . Ai u ndal edhe te likuidimi i detyrimeve të prapambetura, ku sipas tij janë sistemuar dhe janë akorduar rreth 2.5 mld lekë shtesë për t’i rregulluar këto llogari.
Po ashtu, u diskutua edhe për mbështetjen që do të ketë Policia e Dibrës. Xhafaj tha se ka një projekt ku është investuar për të, duke shtuar se do ta mbështesim edhe me financime të tjera.
“Ajo çfarë është miratuar lidhur me projektin suedez për Policinë e Dibrës do të respektohet, por ne jemi duke diskutuar edhe me partner të tjerë që do të angazhohen në këtë fushë të rëndësishme që ka të bëjë me një kontroll më të mirë të Policisë.”
Gjithashtu, ai deklaroi se përveç Suedisë, do të kontribuojë edhe Zvicra, nëpërmjet një pakete për oficerët, duke mbështetur trajnimin apo nevojën për t’i organizuar më mirë në terren.
Ndërkohë, sa i përket infrastrukturës së Policisë Rrugore, ai tha se gjatë vitit që vjen do të realizohen një sërë bashkëpunimesh në formën e donacioneve për mundësimin e pajisjeve shtesë, si vendosjen e radarëve apo vënien e gjobave në mënyrë elektronike.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.