Yellen dëshmon në Kongres – Takimi i radhës do të jetë ai i ndërhyrjes në normën bazë

Kryetarja e sistemit bankar qendror në SHBA, Janet Yellen, tha se Rezerva Federale do të duhet të rrisë normën bazë të interesit në takimin e radhës dhe shtoi se ka pasiguri të mëdha mbi politikat ekonomike nën administratën e Trump.
Kryetarja e bordit të guvernatorëve tha se vonesa në ndërhyrje do të bëjë që Komisioni Federal i Tregut të Hapur të rrisë shpejt normën bazë dhe kjo mund të shkaktojë recesion.
“Pritja e gjatë për të hequr lehtësimin monetar do të ishte e gabuar”, tha Janet Yellen në dëshminë e saj në Kongres, duke shtuar se tregu i punës po fuqizohet më tej dhe inflacioni pritet në 2%.
Megjithatë, ajo nuk tha nëse Banka Qendrore e ekonomisë më të madhe në botë pret 3 rritje të normës bazë të interesit këtë vit. Që prej krizës financiare të 2008-ës, Rezerva Federale ka rritur normën dy herë, duke nisur prej Dhjetorit 2015.
Yellen tha gjithashtu se politikëbërësit e bankës do të diskutojnë mënyrën e reduktimit të portofolit të bonove, që është fryrë gjatë krizës. Yellen është shfaqur në kongres për herë të parë që kur Republikanët morën kontrollin.
Presidenti Donald Trump ka lajmëruar një përmbysje të rregullave finaciare dhe nuk ka dhënë ndonjë detaj mbi përmasat e lehtësimit fiskal.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.