Yellen, në Kongres për planet pas krizës / “Pavarësisht pandemisë, duhet rritje e taksave për të financuar investimet”
Sekretarja e thesarit, Janet Yellen, tha se ekonomia amerikane vazhdon të jetë në krizë nga pandemia, pavarësisht se mbrojti planet për rritje të taksave në të ardhmen, për të paguar për investimet e reja publike. Yellen foli në një seancë në një komision në Kongres, të zhvilluar për të folur mbi rimëkëmbjen e vendit nga recesioni i koronavirusit, seancë që u kthye në një debat për prioritete të tjera. Anëtarët republikan në komision e sfiduan Yellen dhe kryetarin e Rezervës Federale Jerome Powell, për çështje si futja e ndryshimit klimatik në rregulloret financiare, ndërkohë që pyetën specifikisht Yellen se si Shtetet e Bashkuara mund të jenë në krizë dhe njëkohësisht të konsiderojnë rritje të taksave.
Yellen tha se hendeku është i madh dhe ka problem me papunësinë, pas goditjes nga pandemia. “Megjithatë, pasi ekonomia të jetë përsëri e fortë, presidenti Biden do propozojë që të nisim planet afat-gjatë, për të trajtuar mungesën e madhe të investimeve në infrastrukturë, rrezikun klimatik, manifakturë dhe kapital njerëzor”- tha ajo, duke thënë se është e nevojshme që të paguhet për këto. Një mundësi është rritja e taksës korporatave në 28%, sipas saj.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.