Yellen paralajmëron: Pasoja dhe ndërprerje ekonomike ‘të mëdha’ në rrjedhën globale të ushqimit dhe energjisë nga lufta në Ukrainë!

Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen paralajmëroi të mërkurën për valët tronditëse ekonomike të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, duke përfshirë ndërprerjet në rrjedhën globale të ushqimit dhe energjisë. “Veprimet e Rusisë përfaqësojnë një fyerje të papranueshme ndaj rendit global të bazuar në rregulla dhe do të kenë pasoja të mëdha ekonomike në Ukrainë dhe më gjerë,” tha Yellen gjatë dëshmisë së saj para Komitetit të Shërbimeve Financiare të Dhomës së Përfaqësuesve.
Lufta – dhe përgjigja politike e Perëndimit, kryesisht përmes sanksioneve – tashmë ka rritur çmimet e ushqimit dhe energjisë dhe ka ngritur shqetësime për një ngadalësim ekonomik apo edhe recesion gjatë një kohe të inflacionit tashmë të shfrenuar në mbarë botën. Në Shtetet e Bashkuara, për shembull, inflacioni është në një nivel që nuk është parë në 40 vjet.
Yellen e përshkroi pushtimin rus si “brutal dhe të paprovokuar” të mërkurën dhe theksoi se Departamenti i Thesarit është i përkushtuar që ta mbajë Rusinë “përgjegjëse për veprimet e saj”. Të mërkurën, administrata Biden vendosi sanksione të reja ndaj institucioneve bankare ruse Sberbank dhe Alfa Bank — si dhe individëve, duke përfshirë vajzat e rritura të Presidentit Vladimir Putin. Këto sanksione të reja pasuan imazhe të tmerrshme të masakrës dhe krimeve të mundshme të luftës në qytetin ukrainas të Bucha.
Por fakti që partnerët europianë të Amerikës mbeten shumë të varur nga eksportet ruse të energjisë kufizon atë që Perëndimi mund të bëjë. Shtetet e Bashkuara synojnë të shkaktojnë dhimbjen maksimale të mundshme të sanksioneve kundër Rusisë, duke u kujdesur që të mos shkaktojnë dhimbje të panevojshme për aleatët e saj, tha Yellen në mënyrë të përsëritur të mërkurën.
Gjermania, për shembull, do të lihej jashtë në të ftohtë –literalisht — nëse ndalonte importimin e gazit rus. Gjermania është konsumatori më i madh i energjisë i Rusisë në Bashkimin Europian, i cili varet nga Moska për rreth 40% të gazit të saj natyror. Çmimet e energjisë janë rritur nga shqetësimet për furnizimin nga Rusia, eksportuesi numër një i naftës së papërpunuar në botë. Yellen tha se Thesari do të bëjë presion ndaj bankave shumëpalëshe të zhvillimit për të përshpejtuar ndihmën ushqimore për vendet “të cenueshme”. CNN
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.