Yellen siguron investitorët: Nuk do të ketë krizë financiare falë reformave pas vitit 2008

Kryetarja e bordit të guvernatorëve në SHBA, Janet Yellen, tha se nuk do të ketë krizë financiare falë reformave në sistemin bankar që prej kolapsit në vitet 2007-2009.
“Të them që nuk do të ketë më krizë financiare do të ishte e tepruar, por mendoj se tashmë jemi shumë më të sigurtë dhe të paktën në gjeneratën tonë nuk do të ndodhë”, tha kryetarja e Rezervës Federale.
Yellen shtoi se ndërprerja e reformave në industrinë e shërbimeve financiare të ndërmarra që prej krizës nuk do të ishte gjë e mirë dhe i bëri thirrje atyre që menaxhuan situatën gjatë asaj periudhe që ta parandalojnë.
Presidenti Donald Trump ka thënë gjatë fushatës së tij se do të heqë rregulloret e ashpra ndaj bankave.
Departamenti i Thesarit në SHBA propozoi më herët gjatë muajit lehtësimin e kufizimeve që bankat e mëdha hasin në operacionet e tyre të tregtisë.
Yellen nuk komentoi ndërsa pyetej për marrëdhënien e saj me Trump, por tha se lidhjet e saj me Sekretarin e Thesarit Steve Mnuchin janë të mira.
Ajo tha përsëri se Rezerva Federale do të vazhdojë të rrisë normat e interesit në mënyrë graduale dhe shtoi se stoku gjigant i titujve të borxhit që banka ka grumbulluar gjatë krizës financiare do të nisë tkurrjen.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.