Zbardhen blerësit e grupit të Pireut – Mediat greke flasin për 5 kandidatë, mes tyre Eurobank
Mediat greke dhe ato bullgare, si “Ekathimerini” apo “SeeNews“, bëjnë me dije se, janë 5 emrat e pretendentëve që kanë bërë ofertë zyrtare për blerjen e bankës së Pireut, dega bullgare. Mes tyre janë dy bankat bullgare, Investbank dhe Banka bullgaro-amerikane e kreditit, si dhe banka greke Eurobank. Kjo e fundit është prezente me një vend të rëndësishëm në tregun bankar bullgar.
Grupi i Pireut ka shprehur prej kohësh synimin për të shitur degët e saj në rajon, si pjesë e një plani të gjerë ristrukturimi që kërkon të forcojë pozitat brenda Greqisë. Ky plan është i njëjtë për grupe të tjera bankare greke, si NBG.
Grupi i Pireut është i pranishëm edhe në tregun shqiptar nëpërmjet Bankës Tirana, ndërkohë që NBG, Banka kombëtare Greke tashmë ka arritur marrëveshjen me ABI bank dhe do të largohet nga vendi ynë.
Sa i përket Tirana Bank, grupi i Pireut ka nisur negociatat e shitjes me një bankë libaneze, grupin “Balfin”, Union Bank, si dhe Abi Bank. Mediat greke dhe ato bullgare ndërkohë bëjnë me dije se, synimi i grupit është që ti shesë në paketë të gjitha degët e saj në rajon, ku veç Shqipërisë dhe Bullgarisë, paketa përfshin edhe Rumaninë me Serbinë.
Mediat e rajonit bëjnë me dije se, vendimi nga grupi i Pireut në lidhje me ofertat zyrtare do të merret brenda Qershorit, ndërkohë që operacioni do të finalizohet në fillim të vitit të ardhshëm. Nuk dihet ende nëse, emrat në garë kanë shprehur interes për blerjen në paketë të degëve të bankës në rajon, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.