Zbardhen llogaritë në parajsat fiskale – Në dhjetor u arrit shkëmbim automatik informacionesh me 72 administrata tatimore

Për herë të parë gjatë këtij muaji, Administrata tatimore shqiptare është bërë pjesë e rrjetit të vendeve që shkëmbejnë automatikisht informacion për llogaritë jashtë kufijve.
Bëhet fjalë për këmbimin e një gamë të gjerë informacionit mbi llogaritë offshore, duke përfshirë balancat e llogarive dhe të pronësisë. Kjo do të bëjë të mundur parandalimin e evazionit fiskal dhe trajtimin e mashtrimit fiskal, brenda logjikës se veprimtaria e evazorëve jo vetëm zvogëlon të ardhurat publike, por dhe dobëson besimin në drejtësinë e sistemit tatimor, si dhe rrit barrën mbi tatimpaguesit e ndershëm.
Shqipëria në vitin 2020 iu bashkua vendeve që zbatojnë standardet globale të Shkëmbimit Automatik të Informacionit mbi Llogaritë Financiare, sipas standardit CRS të OECD-së, duke shkëmbyer automatikisht informacionin për llogaritë financiare të personave jo rezidentë.
Standardi i Përbashkët i Raportimit (CRS) mbi Shkëmbimin Automatik të Informacionit (AEOI) kërkon që institucionet financiare të një juridiksioni raportues, të mbledhin dhe raportojnë informacion tek autoritetet e tyre tatimore në lidhje me mbajtësit e llogarive të cilët janë rezidentë të shteteve të tjera. Një informacioni i tillë duhet të transmetohet “automatikisht” për çdo vit ndërmjet administratave tatimore të vendeve që janë bërë tashmë pjesë e këtij raportimi.
Pas një pune voluminoze që zgjati thuajse dy vjet, duke filluar me hartimin e legjislacionit shqiptar që reflekton standardin CRS të OECD-së, ngritjen e infrastrukturës së nevojshme informatike për shkëmbimin e informacionit si dhe ndërgjegjësimin dhe sqarimin e vazhdueshëm të institucioneve financiare si subjekt i zbatimit të Ligjit nr. 4/2020, “Për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare”, administrata tatimore shqiptare finalizoi me sukses në muajin dhjetor 2020 shkëmbimin e parë automatik të informacionit me 72 administrata të tjera homologe.
Ky shkëmbim informacioni me autoritetet tatimore të shteteve lidhur me llogaritë financiare në Shqipëri të individëve/entiteteve jo-rezidente do të shkëmbehet çdo vit me autoritetet tatimore të shteteve ku këta individë/entitete janë rezidentë tatimorë dhe anasjelltas.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.