Zbardhet drafti i ri: Çfarë u ndalohet deputetëve shqiptarë! Nga dypunësimi te biznesi e dhuratat

Në Kuvend është depozituar drafti i Kodit të sjelljes së deputetëve, në të cilin ka një serë detyrimesh e kufizimesh për ta. Referuar draftit që sjell portali “SCAN”, deputetëve do t’u ndalohet dypunësimi, ushtrimi i aktivitetit privat fitimprurës apo marrja e dhuratave.
Gjatë ushtrimit të mandatit, deputetit nuk do t’i lejohet:
-të jetë drejtues ose anëtar i organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse;
-të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, profesione të lira të avokatisë, të noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në shkronjën “a” të këtij neni dhe nuk mund të jetë i punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër;
-të zotërojë, në mënyrë aktive, asnjë aksion ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare,nëse ajo rezulton me pozitë dominuese në treg.
Sa i përket dhuratave dhe përfitimeve të tjera të ngjashme:
-Deputeti nuk mund të kërkojë ose të marrë, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, të cilat i jepen për shkak të pozicionit të tij, nga një individ, person fizik ose juridik privat.
-Deputeti, të cilit i janë ofruar dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, duhet:
a) t’i refuzojë ato dhe, në rast se ofrimi është kryer pa dijeninë e tij ose paraprakisht, t’ia kthejë mbrapsht ofruesit ose, në pamundësi, t’i dorëzojë zyrtarisht pranë Shërbimit të Financës dhe Buxhetit, të cilat më pas përdoren për qëllime të veprimtarisë së institucionit;
b) në rast se ofrimi ose dhënia e të mirave të sipërpërmendura lidhen me kryerjen e një vepre penale, ta kallëzojë atë tek organet kompetente për ndjekje penale.
-Dhuratat, që kanë vlera artistike, muzeale apo historike, u dorëzohen institucioneve të specializuara.
-Nuk konsiderohen si dhurata, në kuptim të këtij neni, dhuratat, të cilat i ofrohen deputetit si pasojë e lidhjeve farefisnore apo njohjeve personale që ai ka me dhuruesit, si edhe në raste kur është e qartë se dhurata nuk ka asnjë lidhje me pozicionin dhe cilësinë si deputet.
-Deputeti mund të pranojë dhurata nga qeveritë e huaja apo organizatat ndërkombëtare, brenda kufijve normalë të shprehjes së mikpritjes dhe trajtimit që buron prej saj, apo protokollit, nëse nuk tejkalohen kufijtë e traditës dhe të zakoneve të vendit ku jepen; nuk vënë në dyshim objektivitetin dhe ndershmërinë e deputetit dhe nuk kompromentojnë imazhin dhe integritetin e Republikës së Shqipërisë.
-Deputeti, të cilit i ka mbaruar mandati, nuk mund të veprojë si një avokat i paguar në ndonjë çështje ku Kuvendi është palë ose subjekt i interesuar, deri në 3 vjet pas mbarimit të mandatit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.